Tuesday, 18 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaBM – Sekuestrohen kokainë dhe kanabis me vlerë mbi 160 milionë paund

BM – Sekuestrohen kokainë dhe kanabis me vlerë mbi 160 milionë paund

LONDËR, 18 gusht /ATSH-DPA/ – Më shumë se 160 milionë paund (216 milionë dollarë) kokainë dhe kanabis janë sekuestruar në të njëjtin port britanik brenda një muaji.

Më 28 qershor, oficerët e Forcës Kufitare gjetën 477 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej 38 milionë paundësh, të fshehur mes paletave me banane në një kontejner transporti në Portin e Southamptonit.

”Më vonë po atë ditë, oficerët sekuestruan edhe 530 kilogramë të tjera kokainë, me vlerë rreth 47 milionë paund, nga një tjetër kontejner në port”, bëri të ditur Ministria e Brendshme britanike.

Më 10 korrik, oficerët e Forcës Kufitare zbuluan rreth 960 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej 76 milionë paundësh.

Vetëm pak ditë më vonë, u gjet edhe një ngarkesë prej 290 kilogramësh kanabis, me vlerë rreth 1,2 milionë paund, e fshehur brenda një dërgese me dysheme druri të fortë.

Në vitin që përfundoi në mars 2025, Forca Kufitare sekuestroi 150 tonë droga të paligjshme, me një vlerë në treg prej 2,6 miliardë paundësh.

Kjo ishte një rritje prej 40% krahasuar me vitin e mëparshëm dhe shifra më e lartë që prej fillimit të regjistrimeve.

“Jemi një hap përpara këtyre bandave të neveritshme kriminale. Forca Kufitare ka shkaktuar atyre humbje prej dhjetëra milionë paundësh në më pak se një muaj”, tha ministrja e Brendshme, Jo White,

“Këto droga ushqejnë krime të tjera, shkatërrojnë jetë dhe u shkaktojnë vuajtje komuniteteve tona. Ne do të vazhdojmë veprimet tona të pandërprera për të goditur zinxhirët e furnizimit, për të mbrojtur publikun dhe për të siguruar kufijtë tanë”, shtoi ajo./ /Ad.Ab/ a.jor.

Lini një koment