Thursday, 20 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaE rëndë në Rjoll, 24-vjeçari bie nga gomonia dhe humb jetën pasi goditet nga helika

E rëndë në Rjoll, 24-vjeçari bie nga gomonia dhe humb jetën pasi goditet nga helika

Një i ri 24-vjeçar, me inicialet K. G., ka humbur jetën pasditen e kësaj të enjte në Rjoll, pasi ka rënë nga një gomone në det të hapur dhe është goditur nga helikat e mjetit lundrues.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një grup të rinjsh po udhëtonin me një gomone, kur, në rrethana ende të paqarta, 24-vjeçari ka rënë nga mjeti lundrues dhe është goditur nga helika, duke marrë plagë të rënda, të cilat kanë rezultuar fatale për jetën e tij.

I riu mësohet se është nga zona e Bërdicës, ndërsa gomonia ishte nisur nga bregu i Velipojës. Forcat e Policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 16:15, midis Rjollit dhe Ranës së Hedhun, në thellësi (zonë lundrimi), nga një mjet lundrues gomone, dyshohet se aksidentalisht, njëri prej tre shtetasve që ndodheshin në bord ka rënë nga gomonia dhe është dëmtuar rëndë nga helika e motorit të gomones. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Shtetasi K. Gj., rreth 24 vjeç, është transportuar menjëherë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe më pas me autoambulancë në spital për ndihmë mjekësore, por, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.

Ky është incidenti i dytë i rëndë me mjete lundruese brenda 24 orëve në vend. Një ditë më parë, në Liqenin e Komanit, dy varka turistike u përplasën teksa transportonin pushues drejt Lumit të Shalës. Si pasojë, mbetën të plagosur lehtë pesë persona, mes tyre edhe një turist i huaj.

Lini një koment