Zjarret në Shqipëri, 8 vatra aktive, MM: 270 efektivë të FA-së dhe mjete ajrore në terren
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se deri në orën 21:00 janë regjistruar 26 vatra zjarri. Prej tyre, 8 vijojnë të jenë aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar strukturat vendore dhe qendrore, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Pukë, ndërhyrje intensive në Gojan-Gjegjan
Në Gojan-Gjegjan të Pukës vijojnë operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve, në një terren të vështirë.
Në terren janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë të MZSH-së, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet gjithashtu nga një automjet zjarrfikës dhe dy helikopterë të FA-së.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhyrja ka bërë të mundur shpëtimin e dy banesave të banuara, ndërsa janë marrë masa edhe për evakuimin e disa banorëve.
Mirditë, evakuohen banorët në Shtanë
Në Shtanë të Mirditës po vijon puna për mbrojtjen e zonës së banuar. Në terren ndodhen 40 forca bashkiake, 30 efektivë të FA-së dhe dy mjete zjarrfikëse, ndërsa operacioni nga ajri mbështetet nga dy helikopterë.
Policia e Shtetit ka evakuuar banorët që ndodheshin në rrezik, ndërsa në zonë është vendosur edhe një ambulancë.
Vlorë, flakët përhapen drejt malit
Në Dukat të Vlorës është përforcuar ndjeshëm prania e forcave në terren. Operacioni po kryhet nga dy automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të shërbimit pyjor, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura.
Nga ajri ndërhyrja po mbështetet nga dy avionë “Air Tractor”. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se, pavarësisht shtrirjes së zjarrit në drejtim të malit, banesat nuk janë në rrezik.
Tiranë dhe Klos, vijon izolimi i vatrave
Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Në operacion janë angazhuar 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë të MZSH-së, 9 forca të AZM-së dhe një helikopter i FA-së. Një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi të Klosit janë angazhuar 5 efektivë zjarrfikës, 10 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, situata është përmirësuar në disa zona. Farka është nën kontroll, ndërsa Mal Miloti, Lufaj, Kalivaç dhe mali i Çikës vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Në Mal Milot zjarri është shuar pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.