Mbreti i Norvegjisë në gjendje kritike: Shkak, infeksioni bakterial në gjak
Gjendja shëndetësore e Mbretit të Norvegjisë, Harald V, është përkeqësuar, ka njoftuar Pallati Mbretëror, ndërsa monarku 89-vjeçar vazhdon të qëndrojë i shtruar në Spitalin Universitar të Oslos, Rikshospitalet. Mbreti po merr trajtim me antibiotikë për një infeksion bakterial në qarkullimin e gjakut.
Sipas Pallatit Mbretëror, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes, Harald V ka pranuar të marrë trajtim. Megjithatë, ai do të qëndrojë në spital dhe do të jetë në pushim mjekësor nga detyrat mbretërore deri në një njoftim të mëtejshëm.
Mbreti u shtrua në spital rreth një javë më parë dhe që prej atëherë detyrat e tij janë marrë përsipër përkohësisht nga djali i tij, Princi i Kurorës Haakon, 53 vjeç, i cili po shërben si regjent.
Harald V, i cili është në fron që prej vitit 1991, është përballur me disa probleme shëndetësore vitet e fundit. Në javët e fundit ai është trajtuar me kortizon për një sëmundje të rrallë të gjakut, anemi hemolitike. Kjo gjendje shkakton pakësimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe mund të sjellë lodhje dhe vështirësi në frymëmarrje.
Në vitin 2024, familja mbretërore norvegjeze njoftoi se, për shkak të moshës, Mbreti Harald do të reduktonte në mënyrë të përhershme angazhimet e tij publike. Po atë vit, atij iu vendos një stimulues kardiak, pasi ishte sëmurë gjatë një qëndrimi në Malajzi.
Viti 2026 ka qenë veçanërisht i vështirë për familjen mbretërore norvegjeze. Bashkëshortja e Princit të Kurorës Haakon, Princesha e Kurorës Mette-Marit, iu nënshtrua një transplanti të mushkërive në qershor, pasi ishte diagnostikuar në vitin 2018 me një formë të rrallë të fibrozës pulmonare.
Vetëm dy ditë pas transplantit, djali i Mette-Marit, Marius Borg Høiby, u dënua me katër vjet burg pasi u shpall fajtor për dy akuza për përdhunim. Hoiby, 29 vjeç, kishte mohuar akuzat më të rënda dhe avokatët e tij kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin.
Familja mbretërore është përballur gjithashtu me polemika pas publikimit të dokumenteve që zbuluan kontakte të shpeshta të Mette-Marit me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për vepra seksuale dhe më vonë u bë një nga figurat më të diskutuara të skandaleve seksuale ndërkombëtare.
Mette-Marit më vonë i kërkoi falje Mbretit dhe Mbretëreshës së Norvegjisë për marrëdhënien e saj trevjeçare me Epstein dhe pranoi se kishte treguar “gjykim të dobët”. Në një intervistë televizive kombëtare, ajo tha gjithashtu se do të kishte dashur të mos e kishte takuar kurrë.
Ndërsa Mbreti Harald vazhdon të marrë trajtim në spital, Princi i Kurorës Haakon pritet të vijojë të ushtrojë funksionet e regjentit deri në rikthimin e monarkut në detyrat e tij, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.