PEKIN – Kina kritikon vendimin e SHBA-së për sanksione ndaj Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë
PEKIN, 25 gusht /ATSH-DPA/- Kina ka kritikuar kërcënimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit dhe vendeve që bëjnë tregti me të.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian tha sot se Pekini kundërshton sanksionet e njëanshme, që nuk bazohen në të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, një luftë ekonomike nuk do të çonte në një zgjidhje, por do të përshkallëzonte konfliktet dhe do të dëmtonte rendin financiar global.
Kina bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe rikthimin në dialog, ndërsa Lin tha se Pekini do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij.
SHBA-ja ka kërcënuar edhe më herët me masa ndaj vendeve që tregtojnë me Iranin.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se SHBA-ja ka identifikuar rrjetet dhe ndërmjetësit që Irani përdor për të kontrabanduar naftë dhe për të shmangur sanksionet.
Kina, blerësja më e madhe e naftës iraniane
Kina është blerësja më e madhe në botë e naftës iraniane.
Lin tha se bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Iranit zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk duhet të pengohet.
Sanksione ndaj kompanive kineze
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, disa nga masat e reja prekin kompani me bazë në Hong Kong dhe persona të tjerë në Kinë.
SHBA-ja synon të godasë rrjetin global të prokurimit të Iranit për teknologji bërthamore dhe raketore.
Kompanitë e sanksionuara dyshohet se kanë vepruar si ndërmjetëse për sigurimin e pajisjeve të rëndësishme për Iranin, përfshirë pajisje optike dhe teknike.
Masat synojnë të pengojnë Iranin të zhvillojë aktivitet ekonomik në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë, sanksionet ndaj bankave kineze janë shtyrë, pasi ato mund të rrisnin më tej tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, veçanërisht përpara një takimi të rëndësishëm të planifikuar për shtator.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të presë presidentin kinez, Xi Jinping në SHBA rreth një muaj më vonë.
Trump e ftoi Xi gjatë vizitës së tij në Pekin, në muajin maj. /