Trump ul flamujt në gjysmështizë në nderim të Dolly Parton: Nuk ka pasur kurrë si ajo
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se flamujt amerikanë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, në nderim të këngëtares së njohur të muzikës country, Dolly Parton, e cila ndërroi jetë të martën në Nashville, Tennessee, në moshën 80-vjeçare.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump e cilësoi vdekjen e Parton si një humbje të madhe për miliona njerëz dhe tha se ajo ishte një figurë e pazëvendësueshme.
“Me hidhërim të madh njoftoj se Dolly Parton, një nga këngëtaret më të mëdha të muzikës country të të gjitha kohërave, sapo ka ndërruar jetë. Kjo është një humbje e vërtetë për miliona njerëz. Nuk ka pasur kurrë si ajo dhe nuk do të ketë kurrë më”, shkroi Trump.
Ai njoftoi se flamujt do të qëndrojnë në gjysmështizë për një javë, duke nisur nga ora 18:00 e së martës.
“Pusho në paqe, Dolly! Bota të do”, përfundoi presidenti amerikan.
Një ikonë e muzikës country
Dolly Parton ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës country, me një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada. Ajo u bë e njohur në mbarë botën me hite si “Jolene”, “9 to 5” dhe “I Will Always Love You”.
Parton fitoi 11 çmime Grammy dhe shiti më shumë se 100 milionë disqe gjatë karrierës së saj. Përtej muzikës, ajo u angazhua edhe në filantropi, veçanërisht përmes programit Imagination Library, që synon nxitjen e leximit te fëmijët përmes shpërndarjes së librave falas.
Shkaku i vdekjes së saj ende nuk është bërë i ditur.