Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaCNN: “Majat e Ballkanit”, shtegu spektakolar që zbulon bukuritë e Shqipërisë

CNN: “Majat e Ballkanit”, shtegu spektakolar që zbulon bukuritë e Shqipërisë

– Bjeshkët e Nemuna po kthehen në një nga destinacionet më tërheqëse për aventurierët dhe adhuruesit e natyrës në Evropë, shkruan Lianne Kolirin në një artikull të botuar në median amerikane CNN.

Shtegu ndërkufitar “Majat e Ballkanit”, që përshkon Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, ofron peizazhe spektakolare, fshatra të thella malore dhe një përvojë të veçantë të mikpritjes tradicionale.

Në Shqipëri, itinerari kalon në zona si Valbona dhe Çeremi, ku bujtinat familjare po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në pritjen e turistëve nga e gjithë bota.

Shtegu spektakolar përshkon një nga zonat e fundit të egra të Evropës

Sipas autores, shtegu “Majat e Ballkanit” përshkon malet spektakolare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, pa pika të dukshme kontrolli apo kalime kufitare që të ndërpresin peizazhin.

Për vizitorët nuk është e pazakontë që një ditë të gjatë ecjeje ta nisin me mëngjes në një shtet dhe ta përfundojnë me një darkë të gatuar në shtëpi në një shtet tjetër.

Itinerari, me gjatësi rreth 193 kilometra, kalon nëpër Malin e Zi, Shqipëri dhe Kosovë dhe, në disa raste, gjatë së njëjtës ditë, mund të kalohet disa herë nga një shtet në tjetrin.

Shtegu përshkon vargmalin e njohur si Bjeshkët e Nemuna, një zonë që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

Turistët vijnë për të eksploruar majat e larta gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet me lule të egra dhe pyjet e dendura, ndërsa zona ofron një qetësi dhe izolim që rrallë gjendet në pjesë të tjera të Evropës Jugore.

Autorja vëren se shtegu vazhdon të jetë kryesisht i paprekur nga turizmi masiv.

Sezoni kryesor i ecjeve shtrihet nga qershori deri në shtator, ndërsa maji dhe tetori janë gjithashtu periudha të mundshme për vizitë, megjithëse në këta muaj ekziston mundësia e reshjeve të borës dhe zgjedhjet për ushqim dhe akomodim janë më të kufizuara.

Ushqimi tradicional dhe mikpritja

Në bujtinat e zonës ofrohen gatime tradicionale të përgatitura kryesisht me produkte të rritura dhe të prodhuara nga familjet vendase.

Menutë përfshijnë gatime me mish, sallata, djathëra të bërë në shtëpi dhe salca tradicionale, ndërsa ajvari është një prej produkteve të zakonshme.

Sipas autores, në fillimet e itinerarit shumica e vizitorëve vinin nga Gjermania, Belgjika dhe Holanda.

Sot, shtegu tërheq turistë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Australia dhe Zelanda e Re, ndërsa gjatë verës rikthehen në këto zona edhe malazezë që jetojnë jashtë vendit.

Ajo thekson se turistët tërhiqen veçanërisht nga malet, peizazhet dhe mënyra se si kjo zonë është ruajtur, ndërsa ushqimi tradicional dhe mikpritja përbëjnë një tjetër element të rëndësishëm të përvojës.

Përgjatë shtegut, banorët e zonave malore u ofrojnë vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me mënyrën tradicionale të jetesës.

Për alpinistët, pjesë e kësaj përvoje janë edhe ëmbëlsirat e përgatitura në shtëpi, si bakllava, kek me mjedra dhe kos i trashë me mjaltë, krahas pijeve të ftohta dhe ambienteve të thjeshta sanitare.

Çeremi, një prej pikave kryesore të itinerarit në Shqipëri

Në Shqipëri, autorja ndalet në fshatin e largët të Çeremit, Tropojë, ku 63-vjeçari Kujtim Gocaj drejton një bujtinë familjare.

Sipas artikullit, Gocaj, i cili punon si oficer policie, e ka drejtuar bujtinën prej 14 vitesh dhe synon ta kthejë atë në aktivitetin e tij kryesor pas daljes në pension, rreth dy vjet më vonë.

Bujtina ka nisur si një ndërtesë të vetme, ndërsa në vitin 2019 është zgjeruar me një strukturë të re prej pishe dhe hapësira të jashtme me pamje panoramike.

Aktualisht, ajo ka kapacitet për deri në 36 persona, në dhoma të përbashkëta dhe dhoma private me banjë.

Autorja e përshkruan këtë zhvillim si shembull të mënyrës se si turizmi po krijon mundësi të reja ekonomike dhe sociale për familjet në zonat e thella malore të Shqipërisë.

Ajo thekson gjithashtu se përfitimet e turizmit nuk kufizohen vetëm te të ardhurat.

Kontakti me vizitorë nga vende të ndryshme të botës po u krijon banorëve vendas mundësi për të mësuar dhe për të shkëmbyer përvoja.

Moti dhe kushtet e vështira

Pavarësisht bukurisë së saj, Bjeshkët e Nemuna karakterizohen nga kushte atmosferike shumë të paparashikueshme.

Sipas autores, stuhitë e fuqishme mund të godasin shtegun dhe të zgjasin për orë të tëra, duke prishur planet e alpinistëve dhe duke i detyruar ata të strehohen në akomodime të thjeshta përgjatë itinerarit.

Disa prej këtyre strukturave janë përshtatur nga kasollet që dikur përdoreshin nga barinjtë.

Jashtë sezonit turistik, kushtet mund të bëhen edhe më të vështira.

Gjatë dimrit, reshjet e borës mund të arrijnë deri në një metër, duke bërë që zona të mbyllet plotësisht.

Rajoni ka potencial për ta zgjeruar sezonin turistik edhe gjatë dimrit përmes investimeve në sportet dimërore, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës për ski.

Megjithëse një zhvillim i tillë mbetet ende një perspektivë e largët, ai nuk përjashtohet, duke marrë parasysh rritjen e numrit të vizitorëve, që po mbërrijnë nga vende gjithnjë e më të largëta të botës.

Shtegu “Majat e Ballkanit” po shndërrohet në një nga itineraret më tërheqëse për adhuruesit e natyrës dhe ecjeve malore, duke lidhur Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi dhe duke u ofruar vizitorëve një kombinim të peizazheve të paprekura, traditave lokale dhe mikpritjes së banorëve të zonave malore. /

Lini një koment