Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaSportiPlay-off Champions/ Përralla e Sabah, klubi azer i themeluar 9 vite më parë shkon në grupe

Play-off Champions/ Përralla e Sabah, klubi azer i themeluar 9 vite më parë shkon në grupe

Surpriza e madhe vjen nga Azerbajxhani, ku klubi nga Baku kalon pas kohës shtesë Hapoel Beer Sheva. Përmbysje e madhe edhe nga austriakët e Lask, që eliminuan Celtic pas humbjes 0-3 të pësuar në Glasgow.

Nuk ka Champions pa një histori të bukur futbolli. E radhës vjen nga Azerbajxhani, ku përrallën e ka shkruar Sabah Baku, një skuadër e themeluar në 2017-ën. Pa mbushur ende 10 vjet histori, kjo skuadër do të luajë në Europën e të mëdhenjve.

Azerët në minutën e 93-të ishin thuajse jashtë Champions-it, pasi rezultati 2-2 kundër Hapoel Beer Sheva kualifikonte izraelitët, të cilët kishin fituar 2-1 në ndeshjen e parë. Pastaj 3-2 i Mutallimov, që e çoi kualifikimin në shtesë, ndërsa ndëshkimi me karton të kuq i Diop në minutën e 100-të i shtroi rrugën e suksesit Sabah. Mbina dhe Mickels realizuan 2 gola për 5 minuta, në minutën e 117-të izraelitët mbetën me 9 vetë për një tjetër karton të kuq.

Në Baku shpërtheu festa për kualifikimin e parë historik në Champions, pas një rrugëtimi të nisur ditët e para të korrikut, me 4 ture të kaluara. Azerët kaluan The New Saints të Uellsit, Kups të Finlandës, Aarhus të Danimarkës dhe tani Hapoel Beer Sheva të Izraelit.

Ka kaluar me lehtësi Bodo/Glimt, që pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë, mposhti Nec edhe në Norvegji me një 3-0 të pastër. Një tjetër biletë e klasit të parë për Europën nga Bodo/Glimt.

Mbrëmje historike edhe në Austri. Celtic duhej ta kishte shëtitje përballjen me Lask, pas fitores 3-0 në Glasgow. Por ndodhi e pamundura. Skocezët kaluan në avantazh me McGregor dhe apstaj pësuan një përmbysje epike, teksa koha e rregullt u mbyll 4-1 në favor të Lask Linz. Adeniran realizoi më pas golin e kualifikimit historik në Champions për kampionët e Austrisë.

Lini një koment