Brazili gjobit pronarin e TikTok-ut, “ByteDance” për keqpërdorim të të dhënave të fëmijëve
RIO DE ZHANEIRO, 26 gusht /ATSH-DPA/- Autoriteti brazilian për mbrojtjen e të dhënave personale, ANPD, ka gjobitur me rreth 29,8 milionë dollarë kompaninë “ByteDance”, pronaren e TikTok-ut, për mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve dhe adoleshentëve pa bazë të mjaftueshme ligjore dhe pa marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.
Autoriteti njoftoi sot se shkeljet lidhen, si me personat që përdorin TikTok-un pa krijuar llogari, ashtu edhe me përdoruesit që kanë llogari të regjistruar.
Në total, autoriteti konstatoi pesë shkelje të ligjit brazilian për mbrojtjen e të dhënave personale.
Përveç gjobës, “ByteDance” duhet të fshijë të dhënat e mbledhura në mënyrë të paligjshme dhe të zbatojë një plan për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve.
Përdoruesit nën 16 vjeç do të kenë rregulla më të forta për privatësinë.
Kompania duhet gjithashtu të përmirësojë kontrollet prindërore dhe masat për të parandaluar që fëmijët të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.
Për personat që përdorin TikTok-un pa llogari, reklamat dhe mesazhet private do të çaktivizohen, ndërsa TikTok-u do të kufizojë mënyrën se si u shfaqen videot bazuar në interesat e tyre.
“ByteDance” ka 10 ditë kohë për të apeluar vendimin.
TikTok-u është një nga rrjetet sociale më të përdorura në Brazil dhe është përballur me kritika për mbrojtjen e fëmijëve edhe në vende të tjera.
Komisioni Evropian e ka akuzuar platformën se nuk mbron në mënyrë të mjaftueshme të miturit nga rreziqe si ngacmimi dhe bullizmi në internet.
Në SHBA, TikTok-u ka rënë dakord vetëm pak ditë më parë, të paguajë 400 milionë dollarë për të zgjidhur akuzat lidhur me mbledhjen e të dhënave të fëmijëve pa pëlqimin e prindërve. /