SHBA – Trump: Hormuzi është çminuar, çdo përpjekje e Iranit do të ndëshkohet
– Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi sot se Marina amerikane ka hequr ose ka shpërthyer të gjitha minat detare në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin e naftës dhe gazit, të cilën Irani e ka mbyllur kryesisht që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, raportoi BBC.
“Irani është njoftuar se çdo anije apo mjet lundrues që vendos mina të reja, do të shkatërrohet menjëherë dhe në mënyrë sistematike”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Irani nuk ka bërë ende koment lidhur me deklaratën.
Mbyllja e ngushticës ka shkaktuar luhatje të mëdha të çmimeve të naftës në tregjet botërore.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja ka kontroll mbi zonën, ndërsa Irani ka sulmuar disa anije që, sipas tij, janë përpjekur të kalojnë pa lejen e Teheranit.
Para luftës, e cila nisi më 28 shkurt me sulme ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë transportohej përmes Ngushticës së Hormuzit.
Përveç mbylljes së ngushticës, Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin, bazat amerikane në rajon dhe aleatët arabë të SHBA-së në Gjirin Persik.
Armëpushimi i synuar për të krijuar kushtet për bisedime për përfundimin e luftës, ka dështuar dhe SHBA-ja e Irani kanë shkëmbyer zjarr periodikisht.
Këtë javë, SHBA-ja njoftoi një paketë të re sanksionesh ekonomike ndaj Iranit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunonte financiarisht me Iranin do të izolohej.
SHBA-ja dhe Irani nënshkruan në qershor një Memorandum Mirëkuptimi (MoU), një dokument me 14 pika, që përcaktonte një afat prej 60 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje mbi Ngushticën e Hormuzit.
Më pas, do të zhvilloheshin negociata më të gjera për çështjen bërthamore, përfshirë akuzat se Irani po ndërton armë bërthamore, gjë që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.
Ky afat tashmë ka përfunduar dhe negociatat janë ndërprerë. Kjo ka çuar në sanksionet e reja amerikane, të cilat Trump beson se do të çojnë në rrëzimin e regjimit iranian.
Irani ka qenë nën sanksione për pjesën më të madhe të periudhës që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979.
Ministri i Ekonomisë, Ali Madanizadeh tha se Teherani ishte plotësisht i përgatitur për sanksionet e reja, të cilat, sipas tij, do t’i shkaktonin SHBA-së një tjetër humbje.
Megjithatë, ekonomia iraniane është goditur rëndë nga lufta, si dhe nga një bllokadë ndaj porteve iraniane që SHBA-ja e ka mbajtur prej javësh, duke penguar vazhdimin e tregtisë.
Mosmarrëveshja për kontrollin e Hormuzit
Irani, nga ana e tij, ka sinjalizuar se dëshiron të vendosë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit.
Kjo kërkesë kundërshtohet nga SHBA-ja dhe shumica e vendeve të tjera, të cilat e konsiderojnë ngushticën ujëra ndërkombëtare dhe kërkojnë që lundrimi të mbetet i lirë dhe i papenguar, siç ishte para luftës.
Deri vonë, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit, Irani kishte zhvilluar negociata me Omanin, aleat i SHBA-së, për të gjetur një mënyrë për administrimin e ngushticës.
Por këto bisedime nuk kanë sjellë ende një marrëveshje. Javën e kaluar, Trump kërcënoi se do të bombardonte aleatin e tij, Omanin, “nëse pengon” negociatat e administratës amerikane me Iranin për këtë çështje.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi tha sot se shpreson që vendi i tij dhe Irani së shpejti të njoftojnë krijimin e një korridori të përkohshëm për lundrimin në ngushticë.
Ai e bëri deklaratën pas takimit me homologun iranian, Abbas Araghchi, në Teheran.
Albusaidi tha se shpresonte gjithashtu për “marrëveshje praktike” që do të mundësonin rikthimin e lundrimit të sigurt.
“Menaxhimi i ardhshëm i ngushticës dhe një zgjidhje e përhershme do të vijnë në kohën e duhur”, tha ai.
Araghchi konfirmoi takimin dhe tha se në bisedime me përfaqësues të Pakistanit dhe Omanit u diskutuan zgjidhjet rajonale.
Sipas tij, diskutimet përfshinë të ardhmen e administrimit të ngushticës, marrëveshjen kuadër për krijimin e një korridori të ri, si dhe një operacion të përbashkët për çminimin e zonës. /