Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaKosova​PDK e çon në Prokurori Speciale Kurtin me deputetët ministra

​PDK e çon në Prokurori Speciale Kurtin me deputetët ministra

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se gjatë ditës do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori Speciale ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe të gjithë anëtarëve të qeverisë që janë betuar edhe si deputetë.

Gruda tha se nevojitet aktivizimi i Prokurorisë së Shtetit për të gjitha shkeljet dhe keqpërdorimet që sipas tij i ka bërë qeveria në detyrë.

“Si PDK, sot do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj deputetit Albin Kurti dhe të gjithë deputetëve të tjerë të VV-së që mbajnë funksione të dyfishta, pra janë edhe anëtarë të qeverisë edhe janë betuar si deputetë. Unë, kallëzimin penal e kam me vete, ky kallëzim penal do të dorëzohet në Prokurori Speciale. Shkelja e Kushtetutës, e Ligjit për Qeverinë dhe vendimit të Gjykatës Supreme nuk mund të vazhdojë, prandaj nevojitet aktivizimi i Prokurorisë së Shtetit.

Moszbatimi i vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta të Kosovës është vepër penale, andaj moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme në rastin e ministrit Hekuran Murati, përbën vepër të pastër penale, andaj kërkohet reagimi i Prokurorisë së Shtetit. Në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare sepse duke mbajtur funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro në disa vendime të marra nga qeveria dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë, duhet intervenim i prokurorisë për të vënë në vend zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme”, tha ai.

Tutje, Gruda siç njofton KosovaPress, u shpreh se nuk kanë asnjë negociatë me VV-në për situatën me presidentin, pasi sipas tij, dialogu me Kurtin ka dështuar për siç tha fajin e këtij të fundit.

Lini një koment