Pas rastit të Arlinda Zekajt, një tjetër grua rrëfen për dhunën në familje: Burri më goditi me shufër metalike, mua dhe fëmijëve po na rrezikohet jeta
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah edhe histori të tjera të rënda të dhunës në familje.
Një grua, e cila ka zgjedhur të mbetet anonime, ka rrëfyer në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova për dhunën fizike dhe psikologjike që pretendon se ka përjetuar nga bashkëshorti i saj, me të cilin kishin jetuar në Kanada.
Në një lidhje telefonike, ajo tregoi se dhuna kishte filluar në vitin 2021, pas lindjes së fëmijës së dytë.
Sipas saj, bashkëshorti kishte ushtruar dhunë fizike edhe gjatë shtatzënisë, ndërsa përdorimi i drogës kishte qenë një nga problemet kryesore në familje.
“Ka ushtruar dhunë ndaj meje, ka bërë thyerje, çkyrje të gojës gjatë shtatzënisë. Përdorimi i drogës ka qenë njëra prej gjërave më të këqija. Presion kam pasur gjithmonë…”, rrëfeu ajo.
Gruaja deklaroi se si pasojë e dhunës kishte pësuar lëndime të rënda trupore, duke treguar se në vitin 2021 kishte qëndruar nëntë muaj në spital.
“Kam pasur dhunë fizike, lëndime të trupit, kam qëndruar nëntë muaj në spital, në vitin 2021. Kam qëndruar në spital sepse nuk më ka dhënë as të ha e as të pi. Edhe vjehrra ka bashkëpunuar me të”, tha ajo.
Viktima bëri të ditur se rastin e kishte paraqitur edhe në Kanada, duke përmendur përdorimin e drogës, posedimin e armëve dhe dhunën fizike. Në emision, u prezantuan edhe fotografi dhe incizime të lëndimeve në trup, të cilat, sipas saj, ishin shkaktuar nga goditjet me një shufër metalike.
“Çdo pjesë e trupit… Kam dashur në një mënyrë edhe të bëj vetëvrasje”, rrëfeu ajo, duke përshkruar gjendjen e rëndë emocionale në të cilën kishte qenë.
Aktualisht, gruaja ndodhet në Kosovë. Ajo tregoi se për tetë vjet kishte arritur të vizitonte familjen vetëm tri herë, pasi, sipas saj, bashkëshorti nuk e lejonte të vinte në vendlindje.
“Kësaj radhe me vullnet të lirë më ka lënë, sepse e kam marrë me të mirë. Madje ia kam tërhequr edhe padinë, vetëm që të më lejonte të vija”, rrëfeu ajo.
Ajo shtoi se familja e saj nuk kishte qenë në dijeni për dhunën që kishte përjetuar gjatë gjithë kësaj kohe. Vetëm pasi mbërriti në Kosovë dhe familjarët panë se çfarë kishte ndodhur, ata i kishin kërkuar të mos kthehej më në Kanada me bashkëshortin, duke vlerësuar se kjo nuk ishte e sigurt për të dhe fëmijët e saj.
Ndërkohë tha se gjykatësja i kishte thënë të kthehej në Kanada bashkë me fëmijët, ani pse sipas saj në raportin e Qendrës për Punë Sociale thuhet se fëmijët janë mirë dhe rehatshëm dhe s’kanë dëshirë me shku te baba i tyre dhe se kanë deklaruar se duan të qëndrojnë me mamin. Ajo tha se është e punësuar.
“Kam frikë se mund t’i mbys fëmijët. E kam jetën në rrezik…” – tha ajo.