FOKUS – Meta do të paguajë deri në 16,7 miliardë dollarë për dëmet ndaj fëmijëve
– Meta do të paguajë deri në 16,7 miliardë dollarë për të zgjidhur çështjen e dëmit të rrjeteve sociale ndaj fëmijëve, shkruan financialtimes.com.
Çështja, që lidhet me akuzat për dështimin në mbrojtjen e fëmijëve, sapo kishte nisur në një gjykatë në Kaliforni.
Meta ka rënë dakord të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë për të zgjidhur betejën gjyqësore me 29 shtete amerikane, të cilat e akuzonin kompaninë për dështime në mbrojtjen e fëmijëve dhe nxitjen e varësisë nga rrjetet sociale.
Kompania mëmë e Facebook dhe Instagram ka rënë dakord për marrëveshjen me 29 shtetet, sipas dokumenteve të depozituara të mërkurën në gjykatë. Meta kishte vlerësuar më herët se humbja e çështjes mund t’i kushtonte qindra miliarda dollarë.
Kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me një valë çështjesh të ngjashme, ku pretendohet se platformat e Big Tech shkaktojnë dëme personale duke zhvilluar produkte të projektuara qëllimisht për të krijuar varësi.
Kufizime të reja për adoleshentët
Si pjesë e marrëveshjes, Meta ka rënë dakord të vendosë:
kufizime të paracaktuara ditore për përdorimin e aplikacioneve nga adoleshentët;
bllokime gjatë natës;
forcimin e sistemeve të verifikimit të moshës për të parandaluar që fëmijët të kenë akses në përmbajtje të papërshtatshme;
mjete shtesë për prindërit dhe kujdestarët.
Marrëveshja nuk përfshin pranimin e fajësisë nga Meta dhe duhet të miratohet nga gjykata.
Meta deklaroi se garantimi i një përvoje të sigurt dhe produktive për adoleshentët në platformat e saj është një prioritet absolut.
Kompania bëri të ditur gjithashtu se pagesa e marrëveshjes do të shpërndahet çdo vit për 10 vjet, ndërsa do të regjistrojë rreth 10 miliardë dollarë shpenzime ligjore të lidhura me marrëveshjen.
Akuzat ndaj Meta-s
Çështja u drejtua fillimisht nga prokurorët e përgjithshëm të katër shteteve: Kalifornisë, Kolorados, Kentakit dhe Nju Xhersit. Ata pretenduan se Meta i kishte ndërtuar qëllimisht aplikacionet e saj në mënyrë që të krijonin varësi te përdoruesit e rinj.
Një grup tjetër prej 29 shtetesh e akuzoi kompaninë se kishte mbledhur të dhëna për fëmijë nën moshën 13 vjeç, në shkelje të ligjit amerikan për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve në internet.
Çështja po shqyrtohej nga gjyqtarja federale Yvonne Gonzalez Rogers në Oakland. Në proces pritej të dëshmonin disa drejtues të Meta-s, përfshirë themeluesin dhe CEO-n Mark Zuckerberg. Të martën dëshmoi në gjykatë drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri.
Presion në rritje ndaj rrjeteve sociale
Marrëveshja vjen në një kohë kur kompanitë e rrjeteve sociale po përballen me zemërim në rritje nga publiku lidhur me mënyrën se si aplikacionet e tyre mund t’i ekspozojnë të rinjtë ndaj përmbajtjeve për të rritur ose t’i mbajnë ata të lidhur pas telefonave, me pasoja të mundshme për shëndetin mendor.
Australia, vendet evropiane, Britania e Madhe dhe disa shtete amerikane po planifikojnë ose kanë vendosur kufizime të reja të moshës për aksesin në aplikacione si Instagram, Snapchat, YouTube dhe TikTok.
Marrëveshja e së mërkurës vjen pas një humbjeje të Meta-s në një tjetër proces gjyqësor në mars, të ngritur nga një individ, ku Meta dhe Google u shpallën përgjegjëse për projektimin e aplikacioneve në mënyrë që të krijonin varësi te fëmijët.
Meta deklaroi se dëshiron që edhe YouTube, në pronësi të Google, dhe TikTok të zbatojnë të njëjtat standarde.
Sipas kompanisë, të gjitha platformat duhet t’u ofrojnë prindërve më shumë kontroll dhe të mbështesin adoleshentët, pasi kur një adoleshent kufizohet në një aplikacion, ai thjesht mund të kalojë në një tjetër./