FRANCË – Protestat studentore përfshijnë dhjetëra shkolla dhe universitete
PARIS, 3 nëntor /ATSH-AFP/ -Dhjetëra shkolla të mesme dhe universitete në të gjithë Francën u bllokuan sot nga studentët, të cilët kërkojnë të ushtrojnë presion mbi qeverinë për reformat në arsim, ndërsa sindikatat po përgatiten për një grevë mbarëkombëtare.
Pas përfundimit të pushimeve dyjavore të vjeshtës, protestuesit rifilluan mobilizimin dje, duke kërkuar rikonstruksionin e shkollave të amortizuara, uljen e numrit të nxënësve në klasa dhe krijimin e më shumë vendeve në universitete.
Sipas autoriteteve, sot ishin bllokuar 48 nga 3 700 shkollat e mesme në vend, përfshirë institucione në Paris, Rene dhe Lion.
Sindikata studentore USL pretendoi se numri i institucioneve të bllokuara arrinte në 500, ndërsa aktiviteti ishte penguar edhe në 51 nga 184 institucionet e arsimit të lartë.
Sindikata denoncoi ndërhyrjen e policisë dhe përdorimin e forcave të rendit jashtë shkollave.
Në qytetin e Renes rreth 30 nxënës bllokuan shkollën e mesme Brequigny, ndërsa në Paris shumë mësues të shkollës “Voltaire” iu bashkuan protestës përmes një greve.
Protestat në shkolla janë bërë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë kundër rritjes së çmimeve dhe pamjaftueshmërisë së shërbimeve publike.
Gjatë tri fundjavave të fundit, qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë, ndërsa më 17 tetor Franca përjetoi disa nga trazirat më të rënda të viteve të fundit.
Lëvizja studentore ka frymëzuar edhe të rinjtë në Itali dhe Spanjë, ku termi francez “blocus” (bllokadë) është kthyer në një hashtag.
Ndërkohë, qeveria franceze ka propozuar zëvendësimin e platformës së pranimeve universitare Parcoursup, e kritikuar për mungesë transparence.
Megjithatë, drejtuesit studentorë i konsiderojnë masat e qeverisë të pamjaftueshme dhe kërkojnë investime prej 10 miliardë eurosh në arsim.
Sindikata “L’Union Etudiante” deklaroi se një në dy universitete ishte prekur nga protestat e sotme dhe se më shumë se 50 kampuse ishin bllokuar.
Në Universitetin e Lilës, rreth 40 studentë përdorën biçikleta dhe kosha mbeturinash për të bllokuar kampusin, duke detyruar anulimin e mësimit./ /Ad.Ab/ a.jor.