FOKUS – Vdes Peter Nadas gjiganti i letërsisë hungareze
BUDAPEST, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Shkrimtari hungarez Péter Nádas, një mjeshtër i rrëfimeve gjithëpërfshirëse dhe monumentale, ka vdekur në moshën 83-vjeçare, konfirmoi sot botuesi i tij.
”Nádas vdiq në shtëpinë e tij në fshatin jugperëndimor hungarez Gombosszeg”, tha një zëdhënës i shtëpisë botuese ”Sarközy és Társai” me seli në Budapest, duke cituar familjen e autorit.
Romanet e tij eksploruan Evropën e shekullit XX në të gjitha tmerret dhe absurditetet e saj.
Veprat e tij më të njohura përfshijnë “Një libër kujtimesh”, monumentalen “Histori paralele” dhe kujtimet me dy vëllime “Detaje të shkëlqyera”, të përshkruara si një përballje me historinë.
Nádas u lind në Budapest më 14 tetor 1942.
Ai i mbijetoi Holokaustit me familjen e tij duke u fshehur dhe duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Megjithatë, trashëgimia hebraike e familjes nuk u diskutua ndërsa ai po rritej.
Prindërit e tij ishin komunistë të përkushtuar që më vonë u zhgënjyen nga ideologjia.
Nëna e tij vdiq nga një sëmundje kur Nádas ishte 13 vjeç.
Tre vjet më vonë, babai i tij u vetëvra.
Nadas punoi për gazeta të ndryshme nga viti 1965 deri në vitin 1969 përpara se të bëhej shkrimtar i pavarur.
Ai kaloi pothuajse 12 vjet duke punuar në “Një Libër Kujtimesh”, romanin prej 1 300 faqesh që u bë përparimi i tij ndërkombëtar dhe ndihmoi në përcaktimin e karrierës së tij.
Procese të gjata krijuese karakterizojnë shumë nga veprat e tij kryesore.
Nádas i kushtoi 17 vjet romanit “Histori Paralele”.
Në më shumë se 1 000 faqe, ai end personazhe, motive dhe ngjarje në dukje të shkëputura në një univers të gjerë letrar, me mjedise dhe periudha kohore që shpesh ndryshojnë papritur.
Nádas shqyrton me kujdes mënyrat se si trupat njerëzorë ndikojnë tek njëri-tjetri, dëshirat e tyre të ndërsjella dhe kujtimet dhe katastrofat historike të ruajtura brenda tyre.
Që nga viti 1984, Nadas kishte jetuar një jetë të izoluar në Gombosszeg, një fshat i vogël në shpatet piktoreske të kodrave Göcsej në Hungarinë jugperëndimore.
Së bashku me gruan e tij, Magda Salamon, ai jetonte në një shtëpi tradicionale fshatare të ndërtuar me argjilë dhe dru.
Në vitet e fundit, ai është përmendur vazhdimisht si një pretendent i fortë për çmimin Nobel në Letërsi.
Megjithatë, vitin e kaluar, ishte bashkëkombësi i tij László Krasznahorkai ai që fitoi çmimin./ a.jor.