Wednesday, 26 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaITALI – Zjarre pranë banesave, evakuohen disa familje në Taranto

ITALI – Zjarre pranë banesave, evakuohen disa familje në Taranto

GINOSA (Itali), 26 gusht /ATSH-ANSA/ – Tre vatra zjarri, të zhvilluara pothuajse njëkohësisht, kanë përfshirë disa zona të qytetit Ginosa, në provincën e Tarantos, duke iu afruar disa banesave.

Për arsye sigurie, disa familje janë larguar përkohësisht nga shtëpitë e tyre, ndërsa në terren është aktivizuar një operacion i gjerë për shuarjen e flakëve.

Zjarret kanë prekur zonat pranë stadiumit komunal “Teresa Miani”, Poggio Cignano dhe rrugës “Costa della Crognola”.

Shkaqet e zjarreve ende nuk janë përcaktuar, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një origjine të qëllimshme.

Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve dhe ka vështirësuar ndjeshëm punën e ekipeve të emergjencës.

Alarmet janë dhënë nga vetë banorët, të cilët kanë raportuar njëkohësisht tre kolona tymi në pika të ndryshme të qytetit.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e zjarrfikësve nga Castellaneta dhe komanda provinciale e Tarantos, së bashku me karabinierët dhe vullnetarët e Mbrojtjes Civile.

Për forcimin e ndërhyrjes është kërkuar edhe një avion ”Canadair” dhe një helikopter, i cili po kryen hedhje uji duke përdorur një rezervuar emergjence të vendosur brenda stadiumit “Miani”.

Në terren ndodhet edhe kryebashkiaku i Ginosës, Vito Parisi. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa hetimet për shkaqet e tre zjarreve janë në zhvillim e sipër./ a.jor.

Lini një koment