E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Pamjet e makinës së Viktor Bardhit pas atentatit në Mirditë, u qëllua me breshëri plumbash (VIDEO)

Pamjet e makinës së Viktor Bardhit pas atentatit në Mirditë, u qëllua me breshëri plumbash (VIDEO)

Euronews ka siguruar pamjet e makinës së Viktor Bardhit, i cili u ekzekutua këtë të enjte në Mirditë.

Siç shihet edhe nga pamjet, makina tip “Benz” e 65-vjeçarit është qëlluar me breshëri plumbash në pjesën e përparme. Pas atentatit, automjeti ka dalë jashtë rruge dhe është përplasur me një barrierë betoni.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Rreth orës 09:00, në fshatin Ndërfushas, është gjetur i pajetë në automjetin e tij, shtetasi V. B., rreth 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, njoftoi policia.

Një nga pistat e hetimit lidhet me përplasjen ndër vite mes familjes Bardhi dhe fisit Reçi, konflikt i cili dyshohet se ka prodhuar disa viktima.

Viktor Bardhi humbi brenda tre viteve vëllanë, Martin Bardhi, dhe nipin, Kristian Bardhi.

Martin Bardhi u ekzekutua në shtator 2023, kur u qëllua me breshëri plumbash në lokalin e tij. Ai ndodhej në tavolinë me tre të afërm të tij, kur dy autorë të maskuar zbritën nga një automjet dhe qëlluan me armë. Martin Bardhi mbeti i vrarë në vend, ndërsa tre të afërmit e tij u plagosën.

Një muaj para se të vritej, Martin Bardhi kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte arrestuar për një tentativë për të vrarë Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, i cili u vra me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.

Përplasjet mes dy familjeve dyshohet se vijuan edhe në janar 2025, kur u ekzekutua Kristian Bardhi, nipi i Viktor Bardhit.

Kristian Bardhi, i njohur edhe si Marku, u ekzekutua pasditen e 13 janarit 2025, në aksin Fier-Vlorë. Autorët, që dyshohet se kanë qenë tre, i zunë pritë në mbikalimin e Novoselës.

Më pas, autorët e ndoqën me automjet dhe e qëlluan më shumë se 13 herë me armë. Kristian Bardhi mori tre plumba në trup, ndërsa makina me të cilën udhëtonte u përplas disa herë me trafikndarësin, deri sa ndaloi.

Ekzekutimi i Viktor Bardhit këtë të enjte dyshohet kështu se mund të jetë vijimësi e këtij kalvari të gjatë konfliktesh, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar motivin dhe autorët e ngjarjes.

Lini një koment