Dukagjini mposht Malishevën dhe ngjitet në vendin e dytë
Dukagjini ka regjistruar fitoren e tretë këtë sezon në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke mposhtur Malishevën me rezultat 2:0 në ndeshjen e fundit të javës së pestë.
Takimi u zhvillua nën dritën e reflektorëve në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku skuadra e Armend Dallkut e nisi furishëm dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të.
Mërgim Pefqeli realizoi një supergol për t’i dhënë epërsinë Dukagjinit, ndërsa vetëm 12 minuta më vonë, Dienit Isufi e dyfishoi avantazhin për 2:0.
Malisheva tentoi të rikthehej në lojë, por vendasit u mbrojtën mirë dhe e menaxhuan avantazhin deri në fund.
Dukagjini pati mundësinë ta vuloste fitoren me rezultat edhe më të thellë, por Altin Merlaku shpërdoroi një rast të pastër për 3:0.
Me këtë fitore, Dukagjini shkon në kuotën e 11 pikëve dhe ngjitet në pozitën e dytë në tabelë, vetëm një pikë pas lideres Prishtina.
