Friday, 2 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit: SHBA po punon ngushtë me Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe forcimin e sigurisë

Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit: SHBA po punon ngushtë me Shqipërinë në luftën kundër krimit dhe forcimin e sigurisë

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane, Daniel Lawton, tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë me Shqipërinë në fushën e sigurisë, luftën kundër organizatave kriminale transnacionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Gjatë një dëgjese para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku foli për politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor, Lawton u shpreh se Uashingtoni po bashkëpunon ngushtë me Shqipërinë, në cilësinë e aleatit të NATO-s.

“Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg. Një hua e finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA”, tha ai.

Sipas zyrtarit amerikan, bashkëpunimi me Shqipërinë është pjesë e politikës së SHBA-së për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë.

“Angazhimi ynë në Ballkanin Perëndimor është i lidhur me objektiva të arritshme dhe rezultate të matshme. Fokusi ynë mbetet mbështetja e zgjidhjeve pragmatike të drejtuara nga vetë vendet e rajonit, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, si edhe avancimi i interesave amerikane”, tha Lawton.

Deklaratat e Lawton vijnë në kuadër të vlerësimit të politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor, ku Uashingtoni synon forcimin e stabilitetit, bashkëpunimit ekonomik dhe sigurisë në rajon.

Lini një koment