Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteRoberto Ferrucci sjell në Tiranë artin e shkrimit të udhëtimit

Roberto Ferrucci sjell në Tiranë artin e shkrimit të udhëtimit

Në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, u zhvillua sot punëtoria “Ditari i udhëtimit”, e udhëhequr nga shkrimtari italian Roberto Ferrucci.

Aktiviteti i kushtohet shkrimit të udhëtimit dhe eksploron mënyrën se si përmes shkrimit mund të rrëfehen vende, takime dhe përvoja personale. Punëtoria u zhvillua mëngjesin e sotëm e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bibliotekën Kombëtare. Kjo punëtori do të vijojë edhe në datën 23 shtator.

Ferrucci ka një lidhje të veçantë me shkrimin e udhëtimit. Libri i tij “Andate e ritorni-scorribande a nordest”, për shembull, trajton udhëtime me Vespa në verilindje të Italisë. Në Tiranë, ai është i ftuar nga Instituti Italian i Kulturës në kuadër të projektit “Scrittori in residenza” për të drejtuar punëtorinë “Ditari i udhëtimit”.

Lektori Roberto Ferrucci është shkrimtar italian, pedagog i shkrimit krijues dhe përkthyes. Ferrucci debutoi si romancier në vitin 1993 me “Terra rossa” dhe më pas botoi vepra si “Giocando a pallone sull’acqua”, “Andate e ritorni”, “Cosa cambia”, “Storie che accadono” dhe “Il mondo che ha fatto” (2025).

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij është shkrimi krijues: që nga viti 2002 ai jep mësim në Universitetin e Padovës dhe zhvillon laboratorë shkrimi në Itali e Francë.

Lini një koment