CNN, MS NOW dhe Politico padisin administratën Trump: beteja për Amendamentin e Parë shkon në gjykatë
UASHINGTON, 21 shtator 2026 – Tri nga mediat më të mëdha amerikane, CNN, MS NOW dhe Politico, njoftuan të hënën në mëngjes se kanë paditur administratën Trump, duke e çuar në gjykatë një betejë që prek zemrën e Amendamentit të Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
Në një deklaratë të përbashkët, tri mediat theksuan se Shtëpia e Bardhë hoqi pa asnjë njoftim apo proces kredencialet e gazetarëve të tyre, pasi presidenti nuk i pëlqeu raportimet. Të premten, vetë presidenti Trump e pranoi hapur se ndalimi kishte ardhur si pasojë e “raportimeve negative”.
“Sot në mëngjes njoftuam qeverinë se po padisim për të mbrojtur të drejtat tona të Amendamentit të Parë… pa njoftim apo proces, Shtëpia e Bardhë hoqi kredencialet e gazetarëve tanë sepse kundërshtoi raportimet tona,” thuhet në deklaratë.
Kërkesa urgjente pritet të paraqitet para një gjyqtari federal në Gjykatën e Distriktit të Kolumbisë, ndërsa seanca të para mund të mbahen që këtë javë. Gazetarët e prekur nuk kanë më qasje në zyrat e tyre brenda Shtëpisë së Bardhë, ndërsa CNN dhe MS NOW nuk mund të përdorin as pajisjet e tyre televizive në ndërtesë.
Të shtunën, tre gazetare – Akayla Gardner (MS NOW), Betsy Klein (CNN) dhe Cheyenne Haslett (Politico) – u ndaluan nga Shërbimi Sekret, i cili u konfiskoi distintivet e akreditimit. Të hënën, CNN u hoq edhe nga detyrat e përbashkëta të pool-it televiziv, çka e pengoi të udhëtonte me presidentin në Nju Jork.
Padinë do ta drejtojë avokati i njohur Ted Boutrous, i cili përfaqësoi CNN edhe në çështjen e famshme Acosta të vitit 2018. Ekspertët ligjorë e quajnë ndalimin jokushtetues dhe kujtojnë se gjykatat kanë vendosur vazhdimisht kundër masave të ngjashme të Trump-it, mbi bazën e precedentit të vitit 1977 në çështjen Sherrill. Në qendër të çështjes qëndron “diskriminimi i pikëpamjes” – ndalimi i medias për shkak të përmbajtjes së raportimeve.
Burimi: CNN