Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaGjobat e GJKKO-së ndaj avokatëve, Haxhia: Të mërkurën vendosim hapat e mëtejshëm

Gjobat e GJKKO-së ndaj avokatëve, Haxhia: Të mërkurën vendosim hapat e mëtejshëm

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka reaguar pas gjobave të vendosura nga GJKKO ndaj avokatëve që nuk morën pjesë në seancat gjyqësore, në kuadër të bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë. Haxhia tha se është vënë në dijeni për gjobat dhe theksoi se avokatët janë të detyruar të zbatojnë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, si organi më i lartë vendimmarrës i këtij institucioni.

“U vura në dijeni në lidhje me gjobat e aplikuara nga GJKKO dhe nuk dua të etiketoj, por avokatët kanë një ligj të miratuar nga Parlamenti në bazë të Kushtetutës. Në strukturat drejtuese të Dhomës së Avokatisë, organi më i lartë vendimmarrës është Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë dhe vendimet e këtij këshilli janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga avokatët”, u shpreh Haxhia.

Sipas tij, ligji parashikon masa ndaj avokatëve që nuk zbatojnë vendimet e organeve drejtuese të Dhomës së Avokatisë.

Haxhia kundërshtoi ndërkohë vendosjen e gjobave nga GJKKO, duke argumentuar se një rregullore nuk duhet të zbatohet përmes masave administrative ndaj avokatëve që nuk marrin pjesë në seancë. “Avokatët kanë alternativën që të mos respektojnë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe të përballen me heqjen e licencës apo masa të tjera administrative, ose të respektojnë vendimin e Këshillit dhe të marrin gjoba në proces. Kjo nuk do të duhej të kishte ndodhur, sepse nuk është mirë për autoritetin e këtij institucioni të zbatojë një rregullore me forcën e gjobës”, deklaroi ai.

Haxhia bëri të ditur se të mërkurën, në orën 13:00, do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë. Në rendin e ditës është parashikuar analiza e ecurisë së vendimit për bojkotimin pa afat të seancave gjyqësore. “Ditën e mërkurë, në orën 13:00, do të jetë mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, i cili do të marrë në analizë ecurinë e vendimit që ata kanë marrë për bojkotimin e të gjitha seancave”, tha Haxhia.

Lini një koment