Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaArteDPA bashkëpunim me arkivat kineze për digjitalizimin dhe pasurimin e dokumenteve

DPA bashkëpunim me arkivat kineze për digjitalizimin dhe pasurimin e dokumenteve

Në kuadër të përpjekjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për zgjerimin e marrëdhënieve me institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, kreu i DPA, Auron Rrokaj, zhvilloi një takim me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Pang Chunxue.

Në qendër të bisedimeve ishte krijimi i urave të bashkëpunimit mes arkivave homologe të Shqipërisë dhe Kinës, duke u mbështetur në marrëdhëniet tradicionale të miqësisë mes dy vendeve.

Gjatë takimit u diskutua për një sërë fushash me interes të përbashkët, përfshirë shkëmbimin e përvojave dhe dokumenteve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta kulturore, avancimin e digjitalizimit të dokumenteve arkivore, si edhe zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të arkivave.

Në këtë kuadër, Rrokaj ka zhvilluar më herët takime edhe me zëvendësshefen e Misionit në Detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Kathryn Hammond, si dhe me udhëheqësin fetar Mark Allyn Bragg, dhe përfaqësues të programit “FamilySearch”. Ky i fundit ka kontribuar në ofrimin e mundësive për publikun për kërkimin dhe gjurmimin e të dhënave gjenealogjike.

Në fokus të punës së DPA-së mbetet edhe pasurimi i fondit arkivor shqiptar dhe krijimi i mundësive të reja për kërkime në fushën e albanologjisë. Në këtë drejtim, përfaqësues të institucionit kanë ndërmarrë hapa për sigurimin e dokumenteve dhe materialeve arkivore me interes për historinë dhe studimet shqiptare.

DPA bën të ditur se, bashkëpunimi me arkivat homologe dhe institucionet ndërkombëtare synon të zgjerojë shkëmbimin e informacionit, të ruajë dhe të bëjë më të aksesueshëm dokumentacionin historik, si dhe të krijojë mundësi të reja për studiuesit dhe publikun.

Lini një koment