Shqipëria hap Konsullatë në Michigan, Rama: Diaspora do ketë një derë ku të trokasë
Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë në Michigan, duke zgjeruar praninë diplomatike në Shtetet e Bashkuara. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë takimit me diasporën shqiptare në Detroit.
Gjatë fjalës së tij para shqiptarëve që jetojnë në Michigan, Rama tha se hapja e konsullatës është një vendim i rëndësishëm dhe i merituar për komunitetin shqiptar në këtë shtet.
“Do të hapim së shpejti Konsullatën në Michigan dhe është një vendim i duhur dhe i merituar. Shqipëria duhet të jetë pranë jush sa herë keni nevojë për të dhe minimumi shqiptari ta ketë një derë këtu ku ju të trokëisni për të gjitha çështjet konsullore”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se prania e re konsullore synon t’u ofrojë shërbime më pranë komunitetit shqiptar dhe të forcojë lidhjet mes diasporës dhe Shqipërisë.
Sipas Ramës, hapja e konsullatës në Michigan është pjesë e një zgjerimi më të gjerë të shërbimeve konsullore shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Përveç Michiganit, pritet që Shqipëria të zgjerojë praninë e saj edhe në tre zona të tjera, mes tyre Teksasi.
Rama e lidhi këtë politikë me nevojën për të krijuar kanale më të drejtpërdrejta komunikimi me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Diaspora deri dje ishte një det i madh energjie, por pa port për të ankoruar kontributet, mundësitë dhe ambiciet e njerëzve tanë jashtë Shqipërisë, në funksion të lidhjes mes diasporës dhe Shqipërisë”, u shpreh Rama.