Rama nga SHBA-të: Do hapim konsullatën shqiptare në Miçigan! Shqipëria duhet të ketë një derë ku ju të trokisni
Kryeministri Edi Rama njoftoi hapjen së shpejti të një konsullate shqiptare në Miçigan, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në SHBA.
Rama tha se vendimi vjen në përgjigje të një kërkese të komunitetit dhe theksoi se Shqipëria duhet të jetë më pranë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, duke ofruar një pikë kontakti për çështjet konsullore.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te roli i Diasporës, kontributi i saj ndër vite dhe mundësitë për forcimin e lidhjeve me Shqipërinë.
Fjala e Kryeministrit Rama:
“Dua t’ju jap një lajm të mirë, sepse kam dëgjuar një kërkesë nga ky komunitet dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsullatën shqiptare këtu. Besoj që është vendimi i duhur dhe i merituar, se siç po bëja shaka me Franin sot, ju arritët ta bëni këtë qytet amerikan një fshat të madh shqiptar. Përtej shakasë që është më shumë se gjysma e të vërtetës, Shqipëria duhet të jetë pranë jush kur ju keni nevojë për të dhe Shqipëria ta ketë një derë këtu, ku ju të trokisni për të gjitha çështjet konsullore. Kur ne e nisëm takimin e madh të Diasporës, ishte nëntor i 2016 në Tiranë, ishte një rrugë që ne e ndamë me mikun tim Hashim Thaçin. Diaspora e deri djeshme ishte një det i madh energjie, por pa port për të ankoruar mundësitë dhe ambiciet e njerëzve tanë jashtë Shqipërisë.
Ju nuk dërgonit thjesht para, por ju dërgonit shkollën e fëmijëve, ilaçet e prindërve, tjegullat e shtëpisë, kapitalin e parë të një biznesi që lindte atje i vogël e pastaj rritej. Me fjalë të tjera, ju dërgonit shpresën në kushtet e mbijetesës. 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e Diasporës. 9 në 10 shqiptarë janë shkolluar, kanë ngritur çatitë mbi kokë, apo kanë përmirësuar kushtet e tyre të mbijetesës falë Diasporës. Në samitin e parë, ne thamë që donim diçka tjetër dhe donim të shkonim përtej marrëdhënies së nostalgjisë, së kujtimeve, së dashurisë dhe lidhjeve të pandashme familjare mes njerëzve jashtë dhe atyre brenda Shqipërisë. Në fund të ditës, Diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është përvojë, rrjet, jo vetëm zemrash, por edhe mendjesh. Është qytetari dhe fuqi e madhe dhe kështu, në këto 10 vite kanë lindur mekanizma të rinj të cilat kanë nevojë të forcohen dhe të përsosen dhe në këto 10 vite, janë krijuar edhe kushtet që nëpërmjet sistemit tonë dixhital, e-Albania, njerëzit jashtë të mund të aksesohen në institucionet dhe zyrtarët shqiptarë pa iu dashur të kthehen. Pas këtyre 10 vitesh unë vij këtu te ju me bindjen se çfarë kemi nisur asokohe, ka dhënë fryte dhe ka krijuar premisa për të dhënë akoma dhe më shumë fryte. Shqipëria sot është komplet tjetër nga ajo që ishte 10 vite më parë, por siç thashë krahasimi nuk mjafton, sepse tanimë gjithkush kërkon shumë më tepër.
Vjet ju patët mundësinë për herë të parë të votoni jashtë atdheut për zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, dhe ishte hera e parë që fletët e votimit kaluan oqeanin dhe kontrata e shqiptarëve u lidh përtej kufijve të Shqipërisë”.