Nata e gjashtë e protestës “Jo në emrin tim”, Haziri: Ky shesh kërkon bashkim, na ka bashkuar UÇK-ja
Në sheshin qendror të Prishtinës u mbajt nata e gjashtë e protestës “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së. Njëri nga organizatorët, Çlirim Haziri, u ndal te kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai tha se që nga dita e parë kërkesat kanë qenë konkrete: institucionet e Kosovës të mos heshtin, Kuvendi të veprojë dhe ligji për Dhomat e Specializuara të ndryshohet.
“Kjo nuk është çështje e PDK-së! Kjo nuk është çështje e një partie!”, tha Haziri, duke u bërë thirrje sonte të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës: “Uluni bashkë! Mos e shikoni kush e ka propozuar. Mos e shikoni logon e partisë. Shikojeni kërkesën!”
Ai theksoi se qëllimi i protestuesve nuk është marrja e meritave politike, por veprimi institucional: “Ky shesh nuk kërkon ndarje. Ky shesh kërkon bashkim. Sepse këtu nuk na ka bashkuar partia. Na ka bashkuar UÇK-ja!”
Haziri tha gjithashtu se mesazhi i protestuesve ka arritur deri në Hagë — ish-presidenti Hashim Thaçi u ka dërguar të fala dhe i ka falënderuar për qëndresën, duke thënë se qytetarët që vijnë natë pas nate janë bërë zë i fuqishëm kundër padrejtësisë.
“Prandaj vazhdojmë. Me dinjitet. Të bashkuar. Edhe sonte. Edhe nesër”, përfundoi Haziri.
Burimi: KosovaPress