Shtrenjtohet bileta e autobusit Gjakovë–Prishtinë: nga 5 në 6 euro, transportuesit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit
Udhëtarët në linjën Gjakovë–Prishtinë do të paguajnë më shumë për biletën e autobusit. Çmimi është rritur me 20 për qind, nga 5 në 6 euro, dhe sipas kompanisë transportuese, ky vendim ishte i domosdoshëm.
Rritja e çmimit, thonë nga kompania, lidhet drejtpërdrejt me rritjen e kostove operative, veçanërisht të derivateve të naftës, të cilat kanë bërë të pamundur mbajtjen e çmimit të vjetër. Kompania, e cila operon në këtë linjë që nga viti 1989, ka theksuar se në raste të ndryshme ka liruar nga pagesa kategori të caktuara të udhëtarëve.
Për udhëtarët e rregullt, shtrenjtimi i biletës përkthehet në një shpenzim shtesë mujor, në një kohë kur, sipas tyre, kostot e jetesës po rriten vazhdimisht dhe buxheti familjar po ngushtohet gjithnjë e më shumë.
Ndërkaq, Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ulur kostot e transportit, duke propozuar ndër të tjera heqjen e akcizës për karburantet – një masë që, sipas tyre, do t’i lehtësonte si transportuesit, ashtu edhe qytetarët.
Burimi: Klan Kosova