Pas mbi 25 vitesh, gjenden mbetjet mortore të Salih Mziut në varrezën masive në Kalludër
Pas më shumë se 25 vitesh pritje, familja Mziu më në fund gjeti përgjigje për fatin e Salih Mziut. Mbetjet e tij mortore u zbuluan në një varrezë masive në Kalludër të Zubin Potokut, duke i dhënë fund një odiseje të gjatë kërkimesh e shpresash.
Mbetjet e Salih Mziut u identifikuan bashkë me ato të Idriz Rrecit dhe Adem Beqirit. Në të njëjtin lokacion dyshohet se ndodhen edhe rreth 15 persona të tjerë nga Skenderaj, mes të cilëve edhe vëllezërit e Salihut, Naseri dhe Zeneli.
Familjarët thonë se për vite me radhë pritën zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, duke trokitur në çdo derë institucionale pa e humbur kurrë shpresën.
Nga Shoqata e të Pagjeturve theksojnë se gjetja e këtij lokacioni ishte sfiduese për institucionet, ndërsa procesi i gërmimeve dhe identifikimeve vijon ende.
Në komunën e Zubin Potokut rezultojnë ende të zhdukur 106 persona nga lufta e fundit në Kosovë, çështja e të cilëve mbetet një nga plagët më të hapura të shoqërisë kosovare.
Burimi: Klan Kosova