Tuesday, 22 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaVetëm 35% e grave në Kosovë janë pjesë e fuqisë punëtore, puna e grave rurale mbetet e padukshme

Vetëm 35% e grave në Kosovë janë pjesë e fuqisë punëtore, puna e grave rurale mbetet e padukshme

Vetëm 35% e grave në moshë pune në Kosovë janë pjesë e fuqisë punëtore, ndërsa sipas regjistrimit të popullsisë 2024, shkalla e joaktivitetit ekonomik të grave arrinte në 65%. Puna e grave në zonat rurale mbetet kryesisht informale dhe e papaguar, duke e bërë kontributin e tyre në ekonomi praktikisht të padukshëm.

Këto të dhëna u prezantuan të martën në tryezën e rrumbullakët “Opsionet e politikave për forcimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural përmes angazhimit të grave”, të organizuar nga Instituti Riinvest në cilësinë e sekretariatit të Forumit Ekonomik të Grave.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se përfshirja e grave në tregun e punës mbetet sfidë, duke theksuar se në vitet e fundit, përmes skemave të granteve, janë mbështetur 176 biznese në pronësi apo bashkëpronësi të grave — 55 për kapacitete prodhuese, 60 për certifikim dhe 69 për digjitalizim.

Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave, Saxhide Mustafa, tha se kontributi i grave në ekonominë familjare shpesh trajtohet si “ndihmë familjare” e jo si punë ekonomike, ndërsa qasja në tokë, financa dhe skema mbështetëse mbetet pengesë serioze për fuqizimin e tyre ekonomik.

Për programin e financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe të zbatuar nga Caritasi Zviceran foli Adnan Ahmeti, ndërsa drejtoresha e zyrës së Caritasit Zviceran, Astrid Wein, tha se përmes programit AREA janë parë rezultate konkrete në fuqizimin ekonomik të grave.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment