Wilson sulmon Vuçiqin: Regjimi i tij po sjell në Evropë teknologjinë kineze kundër lirisë
Kongresisti amerikan Joe Wilson ka ngritur shqetësime të reja për kërcënimin rus dhe rritjen e pranisë së Kinës në Evropë, duke e lidhur drejtpërdrejt pushtetin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq me futjen e teknologjisë kineze në kontinent.
Deklaratat i bëri pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova, në Nju Jork, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Me kryediplomaten bullgare, e cila përfaqëson një shtet anëtar të NATO-s, Wilson diskutoi për sigurinë energjetike dhe kërcënimin që paraqet Rusia, si dhe për praninë në rritje të Partisë Komuniste Kineze dhe teknologjisë kineze në Evropë.
Në platformën X, kongresisti republikan shkroi: “Mirënohem të takoj Ministren e Jashtme të aleatit të NATO-s, Bullgarisë, për të diskutuar sigurinë energjetike, kërcënimin rus dhe praninë e dëmshme, por gjithnjë në rritje, të PKKK-së dhe teknologjisë së saj kundër lirisë, të sjellë në Evropë nga regjimi i Vuçiqit.”
Kjo nuk është hera e parë që Wilson kritikon Beogradin për raportet me Rusinë dhe Kinën. Më 15 shtator, ai deklaroi se kompania më e madhe e naftës dhe gazit në Serbi është në pronësi ruse, ndërsa shtoi se Serbia nën Vuçiqin ka blerë dhe integruar teknologji ushtarake dhe të mbikëqyrjes nga Kina.
Burimi: KosovaPress