SHBA – Hakerët “ShinyHunters” pretendojnë se kanë sulmuar FBI-në dhe kanë vjedhur të dhëna
– Grupi i hakerëve “ShinyHunters” pretendon se ka hyrë në sistemet e FBI-së dhe ka vjedhur të dhëna për një numër të madh punonjësish aktualë dhe ish-punonjësish të agjencisë amerikane, sipas “Reuters”.
FBI-ja tha se është në dijeni të pretendimeve dhe po heton rastin.
Sipas “ShinyHunters”, grupi ka marrë të dhëna për pothuajse të gjithë agjentët e FBI-së, si dhe për persona që kanë aplikuar për një vend pune në agjenci.
Çfarë të dhënash pretendohet se janë vjedhur?
Një pjesë e të dhënave të publikuara nga grupi përfshinte, ndër të tjera, emra dhe adresa banimi; numra të Sigurimeve Shoqërore; vendet e punës dhe detyrat e agjentëve; në disa raste, edhe emra të familjarëve.
“Reuters” arriti të konfirmojë pjesërisht disa nga këto të dhëna, por nuk mundi të vërtetojë se ato janë marrë drejtpërdrejt nga sistemet e brendshme të FBI-së.
Ekspertët e sigurisë kibernetike, paralajmërojnë se publikimi i të dhënave të agjentëve mund t’i ekspozojë ata ndaj kërcënimeve, ngacmimeve dhe presionit nga kriminelët.
Faqja e FBI-së pati probleme
Faqja e FBI-së për aplikimet për punë dhe portali për aplikantët për postin e agjentit special u shfaqën përkohësisht jashtë funksionit.
“Reuters” nuk mundi të verifikonte nëse kjo ishte drejtpërdrejt pasojë e sulmit.
“ShinyHunters” tha se sulmi ishte një përgjigje ndaj një njoftimi të FBI-së në maj 2026, në të cilin agjencia kishte përshkruar mënyrën se si vepron grupi dhe kishte këshilluar viktimat të mos paguanin hakerët.
Pse konsiderohet i rrezikshëm?
Cynthia Kaiser, ish-zyrtare e FBI-së dhe aktualisht drejtuesе në kompaninë e sigurisë kibernetike “Halcyon”, tha se publikimi i të dhënave të agjentëve mund të jetë shumë i rrezikshëm, pasi kriminelët mund t’i përdorin për t’i identifikuar, kërcënuar ose ngacmuar agjentët që hetojnë aktivitetet e tyre.
Ajo tha se të dhënat e vjedhura mund të përdoren për shumë vite edhe pasi një sulm kibernetik ka përfunduar.
“ShinyHunters” është një grup i njohur për sulme kibernetike.
Kohët e fundit ka pretenduar vjedhjen e miliona të dhënave të kompanive, ndërsa kompania e inteligjencës artificiale “Anthropic” tha se kishte zbuluar hakerë të lidhur me grupin, duke u përpjekur të përdornin shërbimet e saj. /