Befason Udinese, arrin marrëveshjen për afrimin e mbrojtësit David Alaba
Austriaku 34-vjeçar ishte pa kontratë që pas largimit nga Real Madrid. Klubi italian publikon foton e karriges së famshme të festimeve të tij me “Blancos”.
Nga Real Madrid tek Udinese. Bisedime të hapura dhe të mbyllura me sukses orët e fundit nga klubi italian, që ka arritur akordin për të transferuar mbrojtësin David Alaba në Serie A. Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Futbollisti 34-vjeçar kishte mbetur pa skuadër në verë, pas eksperiencës me “Blancos”. Ai tani ka arritur marrëveshjen me Udinese-n, që është gati për të formalizuar kalimin, për të evituar surprizat.
Konfirmimi për afrimin e Alaba-s vjen edhe nga klubi i familjes Pozzo, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Në foton e publikuar nga klubi friulan shihet “Silla de Alaba” e famshme, karrigia e bardhë e ngritur në qiellin e “Santiago Bernabeu” nga mbrojtësi austriak gjatë festimeve në netët e Champions League me Real Madrid.