Shkarkimi i Vlora Hysenit, Rama komandon Elvis Lilën në krye të SHISH
Një ditë pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga detyra e kreut të SHISH, Kryeministri Edi Rama ka komanduar përkohësisht në këtë institucion Elvis Lilën, aktualisht drejtor i Departamentit Operativ. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.
“URDHËROJ: Z. Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ, t’i delegohen përkohësisht kompetencat administrative të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, thuhet në vendim.
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, u vetëdorëzua një ditë më pare (22 shtator) pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës. Ndaj saj rëndonte masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, e cila nuk ishte ekzekutuar më parë për shkak se zyrtarja ndodhej jashtë Shqipërisë.
Kthimi i saj dhe dorëzimi te autoritetet e pikës kufitare vjen pas vendimit nr. 67, datë 21.09.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila miratoi kërkesën e SPAK-ut për caktimin e masave “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, hetimet ndaj Hysenit po zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025. Ajo dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: “Përkrahja e autorit të krimit” (neni 320/2 i Kodit Penal); “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” (neni 295/a/1 i Kodit Penal).
Lidhur me masën e arrestit shtëpiak dhe pezullimin e saj nga detyra, më herët ka pasur edhe një reagim nga Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku. Rama bëri të ditur lirimin e menjëhershëm të saj nga detyra, ndërsa theksoi se pafajësia apo fajësia e çdo zyrtari është një çështje individuale përballë drejtësisë, e cila duhet të hetojë e pavarur çdo rast.
