Rrëfimi i 13-vjeçarit që humbi për 13 ditë në Malin e Tomorrit: Më detyronin të shisja qirinj
Një 13-vjeçar nga Elbasani ka rrëfyer për emisionin “Në Kohë Reale” një histori të rëndë, duke pretenduar se gjatë muajit gusht ishte marrë me forcë dhe ishte detyruar të shiste qirinj në zonën e Malit të Tomorrit.
I mituri ka folur për mikrofonin e emisionit me lejen e gjyshes dhe sipas dëshmisë së tij, ai pretendon se një burrë dhe një djalë iu afruan, ndërsa burri e kapi nga supi dhe e largoi me forcë.
Ai pretendon gjithashtu se ishte dhunuar kur nuk arrinte të shiste qirinjtë dhe se telefoni i tij ishte thyer që në momentin kur kishin mbërritur në Tiranë.
“I kërkova nënës 1 mijë lek për të blerë byrek dhe erdhi një burrë dhe një djalë, më kapi ai burri nga supi dhe i thash ku po më çoni dhe po qaja. Nga Tirana më çuan në berat, nga Berati më çuan në Malin e Tomorrit. Pastaj më veshën rrobat, më dhanë pakot me qirinj, më gjuanin ndonjëherë, shiti qirinjtë më thonin. Ma kanë thyer telefonin që kur arritëm në Tiranë. Lekët e qirinjve që shisja mi merrni ato. Nuk flisja me njerëzit se më rrinte mbrapa ai burri dhe më bërtiste dhe nuk më linin të kërkoja ndihmë. Kur nuk shisja qirinj po më kanë rrahur. Kisha hall për nënë por edhe për vete. Fal zotit Emiljanos, më mori më hypi në makinë dhe më çoi në komisariat dhe pastaj morën gjyshen. Tani ndonjëherë që dal me nënë, kam frikë”, u shpreh i mituri.
Edhe gjyshja ka treguar për ditët e kërkimit të nipit. Ajo tha se për 13 ditë kishte kërkuar në lokale, vende dhe te njerëz të ndryshëm, por nuk kishte marrë informacion për vendndodhjen e tij.
“13 ditë nuk lija lokale pa pyetur, vend apo njeri dhe asnjë nuk thoshte që e kemi parë. Para disa ditësh bëra një denoncim në polici. Kishin qenë dy veta por nuk i njoh fare, djali më rrinte gjithmonë pranë”, u shpreh gjyshja.