Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaTensione në Kuvend, ministrja Ismaili: Secili funksionar ka përgjegjësi individuale

Tensione në Kuvend, ministrja Ismaili: Secili funksionar ka përgjegjësi individuale

Seanca plenare e Kuvendit vijon të zhvillohet me tensione, ku herë pas herë opozita mban të bllokuara foltore. Një nga momentet e tensioneve ishte edhe rasti ku deputeti i PD Flamur Noka tentoi t’i ndërpresë fjalën edhe Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismaili.

Nga foltorja, ministrja Ismaili i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me diskutimet mbi ish-kreun e SHISH Vlora Hysenit, duke rikujtuar aktivitetin e ish-SHIK-ut gjatë periudhës së qeverisjes së Sali Berishës.

Ismaili akuzoi ish-strukturat e SHIK-ut se gjatë asaj periudhe kanë vepruar si një “polici politike”, duke përndjekur dhe dhunuar kundërshtarët

“Nuk harrojnë shqiptarët, se nuk ka se si të harrojnë. SHIK, sot një temë që u përmend shumë, është një institucion që prej viteve ’90 ka përfaqësuar rënien e shtetit. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm si pushtet të pakufijshëm në duart e xhelatëve të Berishës, që përndiqte, dhunonte, vriste si polici politike dhe që s’jepte llogari askund. S’mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes si drejtues famëkeq i operacionit të ’97-s për shtypjen e revoltave popullore. Përdorej SHIK për armiqtë dhe mbështetësit e tu, digjte redaksi gazetash, rrëmbente e dhunonte gazetarë”, tha ajo.

Lidhur me rastin e Vlora Hysenit, ministrja Ismaili tha se sot vendi i ka pushtetet e ndara dhe se secili mban përgjegjësi individuale.

“Shtet pa shtet, si ky që keni qeverisur ju. Shteti që është shtet i ka pushtetet e ndara, ku secili funksionar ka përgjegjësi individuale. Ne luftojmë për pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë”, tha Ismaili.

Lini një koment