Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaVendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në fshatin Banjskë të Zveçanit është vendosur gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas njoftimit të Qeverisë, ceremonia u zhvillua në vendin ku, tre vjet më parë, Afrim Bunjaku humbi jetën gjatë përballjes në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës.

“Në vendin e rënies heroike tre vjet më parë, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës në fshatin Banjskë të Zveçanit u vendos gurthemeli i obeliskut të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet në njoftim.

Vendosja e gurthemelit të obeliskut synon të shërbejë si përkujtim i përhershëm për veprën dhe sakrificën e Bunjakut, si dhe për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës, u vra gjatë një sulmi të armatosur në Banjskë, ngjarje e cila tronditi vendin dhe nxiti reagime të shumta vendore e ndërkombëtare. /Telegrafi/

Lini një koment