“Jo në emrin tim”: Protestuesit kërkojnë nga Kryesia e Kuvendit ta fusë në rend dite Ligjin për Specialen
Edhe sonte, në natën e nëntë me radhë, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për protestën “Jo në emrin tim”, kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Protestuesit shprehën mbështetjen e plotë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Nga protesta e sontme iu drejtua një kërkesë e qartë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e nesërme, më 25 shtator, ta fusë në rend të ditës projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që ai të trajtohet me përparësi.
Kërkesa vjen në prag të mbledhjes së Kryesisë, e cila është thirrur për nesër me pika të tjera në rendin e ditës. Protesta “Jo në emrin tim” mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë që nga 16 shtatori, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
Burimi: KosovaPress