Nufi përshëndet vendimin e Kuvendit: Misioni në Gaza e shndërron angazhimin e Shqipërisë në kontribut konkret
Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten me 106 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, projektligjin “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit, në Gaza”.
Për këtë vendim në parlament, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë votim unanim si një hap thelbësor që e ngre përkushtimin ushtarak të Shqipërisë në një tjetër nivel.
“Një vendim që e shndërron angazhimin e Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren“, shkruan ministri Nufi.
Ai nënvizoi më tej rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët strategjikë.
“Si aleat i vendosur, Shqipëria qëndron krah për krah me SHBA në përpjekjet për paqe me përgjegjësi, solidaritet dhe kontribut për sigurinë ndërkombëtare.“, thekson ministri në postimin e tij.
Përmes këtij vendimi trupat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë drejtpërdrejt në përpjekjet globale për ruajtjen e stabilitetit dhe mbështetjen e proceseve të paqes në Gaza.