Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›99 hektarët në Kçiq të Madh: Kuvendi i Mitrovicës voton kundër dhënies së tokës, tension me Pecin në seancë

99 hektarët në Kçiq të Madh: Kuvendi i Mitrovicës voton kundër dhënies së tokës, tension me Pecin në seancë

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka votuar sot kundër dhënies në shfrytëzim të një parcele prej rreth 99 hektarësh në fshatin Kçiq të Madh, e cila planifikohej të përdorej për veprimtari gurthyesi. Propozimi u rrëzua me 17 vota kundër dhe 13 vota pro. Çështja ishte shtyrë nga seanca e mëngjesit për në orën 14:00, ndërkohë që në fund Kuvendi i dha të drejtë banorëve që e kundërshtonin dhënien e pronës.

Fatmir Musliu, përfaqësues i fshatit Kçiq të Madh, u shpreh kundër dhënies së tokës, duke theksuar se banorët prej rreth shtatë vitesh përballen me pasojat e veprimtarisë së gurthyesit. Sipas tij, që në vitin 2021, kur drejtori i Infrastrukturës ishte Naser Muja, kjo veprimtari ishte objekt shqetësimesh dhe ankesash, ndërsa në maj të vitit 2022 ajo u ndal për mungesë lejeje komunale. Musliu tha se janë dëmtuar rreth 3 kilometra rrugë të asfaltuara, si dhe burime uji që shfrytëzohen nga më shumë se 200 familje.

Gjatë fjalimit të tij, seanca u tensionua mes Musliut dhe kryetarit të Komunës, Faton Peci, i cili i kërkoi përfaqësuesit të fshatit të mos mbante “fjalime politike”. Në debat u përfshi edhe qytetari Isuf Deliu, i cili tha se vendimi për tokën nuk mund të merret nga 10-15 persona për fatin e 11 mijë banorëve.

Me votimin e sotëm, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut i dha fund përpjekjes për dhënien në shfrytëzim të parcelës 99-hektarëshe në Kçiq të Madh, duke vendosur në favor të banorëve të fshatit.

Burimi: KosovaPress

Lini një koment