Thursday, 24 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Muriqi feston golin me fanellën “Jo në emrin tim”: Fitoren ua dedikoj çlirimtarëve

Muriqi feston golin me fanellën “Jo në emrin tim”: Fitoren ua dedikoj çlirimtarëve

Kosova e nisi me fitore ciklin e ri të Nations League. Kombëtarja kosovare mundi sonte Irlandën me rezultatin 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e parë të grupit.

Golin e vetëm të takimit e shënoi kapiteni Vedat Muriqi në minutën e 83-të, në pjesën e dytë, duke i siguruar Kosovës tri pikët e para në këtë edicion të garës.

Pas golit, Muriqi tërhoqi vëmendjen me festimin e tij: sulmuesi zbuloi një fanellë me mbishkrimin “Jo në emrin tim”, moment që është bërë qendër e vëmendjes edhe në rrjetet sociale.

Për Klan Kosova, Muriqi tha se këtë fitore ua dedikon veçanërisht çlirimtarëve. “Fitoren veçanërisht ua dedikoj çlirimtarëve tanë, krerëve të UÇK-së”, deklaroi ai pas ndeshjes.

Kapiteni i Kosovës foli gjithashtu për ndeshjen, duke theksuar rëndësinë e fitores në lojën e parë para tifozëve: “Duke marrë parasysh që kemi nisur një cikël të ri të Nations League për kombëtaren tonë u kanë me rëndësi këtu lojën e parë para shikuesve tanë me e marrë fitoren”. Muriqi shtoi se skuadra i kishte ditur pikat e dobëta të Irlandës: “I kemi ditë pikët e dobëta të Irlandës, jemi mundu me e pasë lojën në kontroll dhe besoj që e kemi pasë tan kohën”.

“Me randësi u kanë fitorja, e përgëzoj gjithë ekipin, shtabin teknik, shtabin mjekësor iu lumshin kambët, duart e goja gjithë tifozëve tanë që kanë qenë këtu”, përfundoi ai.

Reagime pati edhe pas ndeshjes. Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, publikoi në Facebook foton e momentit të festimit të Muriqit me përshkrimin “UÇK”.

Ndërkohë, Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, publikoi fotografinë e Muriqit me mbishkrimin: “Krejt Kosova UÇK! Urime fitorja sonte, Kosovë! Faleminderit, Kapiten. Faleminderit, Kosovë. Bashkë. Deri në liri”.

Ndeshja e ardhshme e Kosovës në këtë grup është në transfertë kundër Austrisë, më 27 shtator.

Burimet: Klan Kosova; Klan Kosova; Klan Kosova

Lini një koment