Betohen 17 kadetë të rinj të FSK-së, mes tyre edhe një kadet nga Shqipëria
Përmes një betimi solemn, 17 kadetë të rinj të Klasës 2030 kanë nisur zyrtarisht kapitullin e ri në rrugëtimin e tyre drejt formimit akademik e ushtarak si oficerë të ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Në mesin e kësaj gjenerate të re, e cila ka nisur përgatitjet në Qendrën për Studime Universitare (QSU), është edhe një kadet nga Republika e Shqipërisë, duke dëshmuar vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve.
Gjatë ceremonisë, kadetët shprehën përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre maksimale për t’i shërbyer atdheut me nder, përgjegjësi të lartë dhe profesionalizëm.
Ky hap shënon nisjen e një faze intensive të edukimit dhe disiplinës ushtarake për të rinjtë, të cilët pas përfundimit të studimeve do të marrin përsipër gradat dhe detyrat drejtuese në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.
Burimi: Klan Kosova — https://klankosova.tv/betohen-17-kadete-te-rinj-te-fsk-se