“Ne nuk harrojmë”, përurohet sonte në Obiliq kënga kushtuar të rënëve të luftës
Sot, në ditën kur përkujtohet krimi e gjenocidi në Abri të Epërme, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” përuron këngën “Ne nuk harrojmë”, kushtuar të gjithë të rënëve gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.
Promovimi mbahet sonte në AMC Hall, në rrugën Cërriku në Obiliq, duke filluar nga ora 18:00, me yjet e kulturës muzikore: Enkelejda Arifi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë NikPrelaj dhe Selami Kolonja.
Për këtë ngjarje nga Danimarka kanë udhëtuar intelektuali danez Niels Henrik Hooge, i cili mori pjesë vullnetarisht si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është dekoruar nga Presidenca e Kosovës për kontributin e tij në çlirimin e vendit; historiani dhe eksperti i çështjeve ballkanike Tue Magnussen; si dhe shkrimtarja nga Galicia e Spanjës, autore e librit “Mirupafshim në Kosovë”.
Në manifestim do të marrë pjesë edhe gazetari britanik Vaughan Smith, i cili bëri filmimet gjatë krimit të gjenocidit në Prekaz, në lagjen e familjes Jashari.
Sipas njoftimit, përveç nderimit që u bëhet të rënëve, ky manifestim është apel për ngadhënjimin e drejtësisë së vërtetë: dënimin e kriminelëve të vërtetë që kryen gjenocid në Kosovë dhe lirimin e çlirimtarëve.
Burimi: KosovaPress