Saturday, 26 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Qeveria miraton një varg projektligjesh, përfshirë Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Qeveria miraton një varg projektligjesh, përfshirë Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar të premten në mbrëmje një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme.

Ndër vendimet kryesore është miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili përcakton themelimin, organizimin, kompetencat dhe procedurat e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Mbledhja miratoi gjithashtu paketën e reformës në drejtësi: rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve; ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, si dhe Akademinë e Drejtësisë.

Në fushën e energjisë u miratuan Projektligjet për Energjinë dhe për Energjinë Elektrike, ndërsa u ratifikua edhe Marrëveshja e Kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim për financimin e Lojërave Mesdhetare XXI që do të mbahen në Kosovë.

Qeveria miratoi gjithashtu projektligjet për Inovacionin dhe Ndërmarrësinë dhe për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare; propozimin në Kuvend të kandidatëve për kryesuesin dhe dy anëtarët e Bordit të ZRRE-së; dhënien me qira të parcelave për shfrytëzim guri në Kaçanik, Drenas, Rahovec, Suharekë dhe Shtime; Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme 2027-2029; vazhdimin me tre muaj të mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut, si dhe pezullimin e një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.

Burimi: Klan Kosova

Lini një koment