Ndeshja ishte e barabartë, Austria i shfrytëzoi gabimet tona
Kosova u mposht 3-1 nga Austria në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës, në ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Kombeve. Foda pas ndeshjes tha se skuadra nuk u dorëzua kurrë.
Kombëtarja e Kosovës u mposht 3-1 nga Austria në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës, në ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Kombeve, siç raporton futbolli.info. Dardanët përfunduan me humbje në një ndeshje ku, sipas përzgjedhësit Franco Foda, statistikat flasin për baraspeshë, por diferencën e bënë gabimet individuale.
Austria i shënoi dy golat e pjesës së parë para pushimit. David Affengruber hapi rezultatin në minutën e 23-të me kokë, pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar nga Romano Schmid, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë Patrick Wimmer i shërbeu Junior Adamusë golin e dytë.
Foda reagoi në pushim me tri zëvendësime dhe Kosova u kthye më mirë në pjesën e dytë: Vedat Muriqi shpërdoroi dy raste të pastra përballë portierit Christian Zawieschitzky. Në minutën e 60-të, Austria shënoi të tretin — portieri Arijanet Muriç nuk e kapi topin pas një krosimi të ulët të Paul Wannerit dhe Carney Chukwuemeka e dërgoi atë në rrjetë. Dardanët e ngushtuan diferencën rreth dhjetë minuta para fundit, nga pika e penalltisë.
Foda pas ndeshjes u deklarua i kënaqur me lojtarët e tij. “Skuadra nuk u dorëzua kurrë dhe deri në fund u përpoq ta përmbyste ndeshjen. Nëse shikojmë vetëm statistikat, ndeshja ishte e barabartë. Por Austria ishte jashtëzakonisht e mirë në shfrytëzimin e gabimeve tona. Shpejtësia e tyre, lëvizjet dhe kalimet nga mbrojtja në sulm ishin shumë të mira”, tha ai pas ndeshjes.