OVL-UÇK: Qeveria ta procedojë sa më parë Projektligjin për Dhomat e Specializuara
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt ta procedojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se pas miratimit të deklaratës në Kuvend, duhet të ndërmerren veprime konkrete për procedimin e projektligjit.
“Kuvendi dhe deputetët e bënë pjesën e tyre, e dëshmuan vullnetin politik me votë. Qeveria duhet ta procedojë sa më parë projektligjin në mënyrë që ai të vijë menjëherë në Kuvend për miratim. Deklarata është zotim, ligji është veprim”, tha Syla.
Ai kërkoi që procesi të mos vonohet, duke thënë se përgjegjësia politike për mosprocedimin e projektligjit duhet të jetë e qartë.
Syla foli edhe për marshin e paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Ai tha se marshi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, nga ora 16:00, ndërsa u bëri thirrje kategorive të dala nga lufta dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.
“Kemi bërë të gjitha përgatitjet për marshin e datës 1 tetor”, tha Syla, duke shtuar se organizimi synon të kundërshtojë, siç e cilësoi ai, “padrejtësinë ndaj luftës dhe shtetit tonë”.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së paralajmëroi se organizata do të vazhdojë me aktivitete edhe në të ardhmen.
“Do të ketë organizime të tilla nga OVL-UÇK deri ditën sa bashkëluftëtarët tanë do të kthehen në shtëpitë e tyre të pafajshëm”, deklaroi Syla.
Ai bëri të ditur gjithashtu se organizime të tjera janë planifikuar edhe në qytete të ndryshme të Kosovës, me qëllim që, sipas tij, qytetarët të kenë mundësi të marrin pjesë në këto aktivitete. /Telegrafi/