Kurti paralajmëron ndërtimin e 5 digave të reja: Bujqësia të mos mbështetet vetëm me subvencione
Qeveria e Kosovës synon të ndërtojë pesë diga të reja dhe të zgjerojë investimet në ujitje, përpunim e magazinim të prodhimeve bujqësore, tha sot kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit në konferencën e 22-të të Rrjetit Evropian për Zhvillimin Rural, të mbajtur në Mitrovicë.
Kurti kërkoi që mbështetja për fermerët të nxisë prodhimin dhe cilësinë. “Të kalojmë nga mbështetja e bazuar kryesisht në sipërfaqe dhe numër të krerëve, drejt një sistemi që nxit prodhimin, cilësinë, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë”, tha ai, siç raporton KosovaPress.
Sipas kryeministrit, investimet në ujë, shëndetin e tokës dhe kapacitetet përpunuese do t’u mundësojnë fermerëve t’u shtojnë vlerë prodhimeve, ndërsa synimi është zvogëlimi i eksportit të produkteve të papërpunuara dhe i importit të atyre të gatshme.
Ai përmendi edhe mbrojtjen e tokës bujqësore, mbështetjen e fermerëve të rinj dhe fuqizimin e grave në zonat rurale. Sipas tij, siguria ushqimore kërkon kapacitete më të mëdha vendore të prodhimit, veçanërisht pas çrregullimeve të furnizimit gjatë pandemisë dhe luftërave.
“Për Kosovën, zhvillimi rural ka rëndësi të veçantë. Ne kemi tokë pjellore, burime natyrore, traditë bujqësore dhe potencial njerëzor. Por kemi edhe vështirësitë nga sfida strukturore e deri te ndryshimet klimatike”, u shpreh Kurti.
Duke folur për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ai tha se buxheti shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028–2034 do të ndikojë në përgatitjen e fermerëve dhe të institucioneve të vendeve kandidate. Konferenca u organizua nga Kolegji Publik Ndërkombëtar i Biznesit Mitrovica dhe Rrjeti Evropian për Zhvillimin Rural, i përfaqësuar nga presidenti Pawel Chmielinski.