Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Këshilli Bashkiak i Tiranës shpall “Qytetarë Nderi” katër ish-krerët e UÇK-së

Këshilli Bashkiak i Tiranës shpall “Qytetarë Nderi” katër ish-krerët e UÇK-së

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për t’u dhënë titullin “Qytetar Nderi” katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, siç njofton Report TV. Vendimi mori votat e mazhorancës dhe të opozitës.

Nisma kishte kaluar më herët filtrat institucionalë të Bashkisë: propozimi i Komisionit të Titujve, të drejtuar nga historiani Pëllumb Xhufi, mori miratimin unanim të Komisionit Artistik-Kulturor të Bashkisë së Tiranës.

Në motivacionet e publikuara gjatë procedurës, siç shkruan Tv Klan, katër drejtuesit vlerësohen për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë, si dhe për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Vendimi vjen në një moment të ndjeshëm, pak javë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së me 81 vite burg në total. Veliaj, i cili e propozoi nismën më 19 shtator, ka thënë: “Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë… Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.”

Veliaj i ka bërë thirrje edhe bashkive të tjera në Shqipëri të ndërmarrin të njëjtën nismë.

Lini një koment