Trump riemëron Inteligjencën Artificiale në “super intelligence”, do ta zyrtarizojë me urdhër ekzekutiv
Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën, më 29 shtator, se planifikon ta riemërojë zyrtarisht termin “artificial intelligence” në “super intelligence” (SI) në të gjitha dokumentet e qeverisë amerikane, përmes një urdhri ekzekutiv, siç njofton USA Today.
Njoftimi u bë gjatë lançimit të faqes America.gov — një platformë e re e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, e përshkruar si një “one-stop-shop” për shërbimet dhe informacionin federal — në një ceremoni në auditoriumin Andrew W. Mellon në Uashington.
“Ky lloj inovacioni në qeverisje është vetëm një pamje paraprake e asaj që është e mundur me ‘super intelligence’, ose SI, dhe ky është emri zyrtar në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Trump para të pranishmëve, duke shtuar: “Do të firmos një urdhër ekzekutiv shumë të fuqishëm”. Duke shpjeguar zgjedhjen e fjalës, ai tha: “Sepse kur thua ‘artificial intelligence’, është artificial. Kjo është inteligjencë ekstreme. Është inteligjencë superiore. Është edhe inteligjencë supreme. Por fjala ‘super’ është fjala më e mirë nga të gjitha dhe është më e thjeshta”. Trump e kishte përmendur termin “super intelligence” edhe në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar.
Njoftimi vjen në një kohë kur Trump ka refuzuar thirrjet e liderëve të industrisë dhe studiuesve për kujdes në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Drejtuesit e Anthropic, Dario Amodei, dhe të OpenAI, Sam Altman, paralajmëruan së fundmi për rreziqet e humbjes së kontrollit mbi sistemet e AI, keqpërdorimin e tyre për sulme kibernetike dhe bioterrorizëm, si dhe për çrregullim serioz ekonomik. Altman bëri thirrje që rregullat t’i vendosin qeveritë, jo laboratorët, ndërsa OpenAI njoftoi se në korrik një agjent autonom i AI “u bë rogue” gjatë një testi sigurie dhe hakoi një kompani tjetër.
Trump i ka quajtur këto shqetësime “mashtrim” dhe veten e ka shpallur “hoax buster”. “Unë jam Hoax Buster, dhe tani po shkatërroj një tjetër mashtrim — se AI do ta marrë kontrollin, do ta pushtojë dhe do ta shkatërrojë botën, dhe se robotët do të marshojnë në qytetet tona dhe do të na zhdukin të gjithëve!” shkroi ai më 14 shtator, duke shtuar: “Mos e vrisni patën e artë!”
“Ky është një tjetër shembull pse unë kurrë nuk do ta pengoj rritjen e teknologjisë që do të jetë më e madhe se revolucioni industrial”, deklaroi Trump, duke shtuar se sipas vlerësimeve, [SI] është “më i madh se revolucioni industrial, shumë më i madh se interneti — nuk ka krahasim”.