Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Gjykata cakton një muaj paraburgim për nëntë të arrestuarit për krime lufte në Zubin Potok

Gjykata cakton një muaj paraburgim për nëntë të arrestuarit për krime lufte në Zubin Potok

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj nëntë të pandehurve të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, siç njofton KosovaPress.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit, duke e caktuar atë në kohëzgjatje prej një muaji për secilin prej të pandehurve.

Të pandehurit, të identifikuar me iniciale si D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D., dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Gjykata e vlerësoi caktimin e paraburgimit si masë adekuate, pasi ekziston rreziku real që, nëse të pandehurit lihen në liri, të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë. Ky vlerësim mbështetet në faktin se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë, si dhe posedojnë pasaporta të Republikës së Serbisë, ndaj ekziston rreziku konkret që ata të largohen dhe t’i ikin drejtësisë, sipas raportimit të KosovaPress.

Sipas gjykatës, nëse të pandehurit lihen në liri ekziston edhe rreziku që ata të ndikojnë në prova dhe dëshmi, duke penguar administrimin e drejtë e të plotë të provave. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lini një koment