Tuesday, 29 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›PDK kushtëzon pjesëmarrjen në Kuvend, Deliu-Kodra: Pa ligjin për Specialen nuk vazhdojmë

PDK kushtëzon pjesëmarrjen në Kuvend, Deliu-Kodra: Pa ligjin për Specialen nuk vazhdojmë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur qëndrimin e prerë të partisë së saj lidhur me vazhdimin e punimeve në Kuvendin e Kosovës.

Në emisionin DPT te Fidani në Klan Kosova, ajo deklaroi se grupi parlamentar i PDK-së nuk do të pranojë që në seancë të trajtohet asnjë çështje tjetër pa u sjellë dhe diskutuar ligji për Dhomat e Specializuara.

“Asnjë deputet i yni nuk do të jetë në Kuvend pa e diskutuar ligjin që ne e kemi kërkuar. Është iniciativë që i përgjigjet nevojës që sot e ka Kosova. Po flasim për një ligj, kemi folur, ka folur zoti Hamza për financim, për mbështetje të krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka shtuar se PDK-ja ka pritur nga Qeveria një qasje më serioze dhe konkrete ndaj kësaj çështjeje.

“Kemi pritur që së paku Qeveria, në raste si kjo, të mos e dëshmojë vetëm me një deklaratë vullnetin e saj politik, por kur cenohen themelet e shtetit, një qeveri normale do të duhej të sillej jo vetëm me seriozitet, por të dëshmonte gjithë mbështetjen. Prioriteti kryesor i Kosovës sot është vendimi që e ka atakuar shtetin e Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e opozitës ka adresuar kritika edhe ndaj Qeverisë dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke pretenduar se procedurat e zgjatura dhe arsyetimet për marrjen e mendimeve nga ekspertët po përdoren për ta kaluar afatin e 6 tetorit.

Deliu-Kodra ka reaguar edhe ndaj deklaratave sipas të cilave çështja e ligjit po trajtohet si një temë e zakonshme e ditës, duke insistuar se për PDK-në kjo është një çështje me rëndësi të veçantë politike dhe institucionale.

Lini një koment